Është vetë Kryeministri britanik, Rishi Sunak, i cili vijon të flasë për çështjen e emigrantëve shqiptarë që kalojnë La Manshin për në tokën britanike.

emigrantet

Ai ka folur ditën e djeshme nga Doveri, pika e parë e kalimit të kufirit britanik për shqiptarët që ikin për në Angli. Po përkundrejt rrezikut real të jetës së secilit që ka ndërmarrë dhe ndërmerr atë udhëtim, duke kaluar La Manshin nga Franca drejt Anglisë, Sunak ka vendosur t’i bëjë reklamë sipërmarrjes së vet, duke bërë publik faktin se marrëveshja po funksionon.

Referuar zhvillimeve të ditës së djeshme, bëhet me dije se Sunak është i kënaqur me ndalimin emigrantëve të paligjshëm, por nga ana tjetër janë shqiptarët që “tallen” me deklaratën e tij.

Ata iu kanë përgjigjur Rishi Sunak me anë të disa reklamave në rrjetin social “Tik Tok” ku i ftojnë shqiptarët që të nisen në drejtim të Anglisë dhe këtë javë rruga do të kushtojë vetëm 3 mijë paund. Mediat britanike iu kanë kushtuar rëndësi të veçantë këtyre reklamave duke bërë me dije se gangsterët shqiptar po tallen me shtetin britanik.

“ZËRI I AMERIKËS” PËR RISHI SUNAK

Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak tha të hënën se plani i tij për të ndaluar migracionin e paligjshëm po jep rezultate. Duke folur për mediat në Dover të Britanisë, zoti Sunak tha se numri i emigrantëve që përpiqen të kalojnë kanalin e La Manshit me varka të vogla ka rënë me 20 për qind që kur qeveria e tij propozoi projektligjin për frenimin e migracionit të paligjshëm.

Sunak tha se pas marrëveshjes me qeverinë shqiptare për të ndaluar migracionin e paligjshëm, në gjashtë muajt e fundit, është bërë i mundur kthimi i 1800 emigrantëve shqiptarë, ndërsa numri i atyre që përpiqen të hyjnë me anije në Britani ka rënë në mënyrë drastike.

Britania është përpjekur prej një kohe të gjatë për të frenuar migracionin e paligjshëm, por zoti Sunak është i prirur të tregojë se plani i tij për të arritur marrëveshje me vendet e tjera evropiane për uljen e numrin të emigrantëve dhe ashpërsimi i masave të qeverisë së tij ndaj kësaj dukurie, mund të japë rezultate.

“Mesazhi që dua të përcjell sot është se plani ynë ka nisur të japë rezultate. 5 muaj pasi njoftova planin, kalimet e paligjshme kanë rënë me 20 për qind krahasuar me një vit më parë”, tha Rishi Sunak , kryeministër i Britanisë.

Kryeministri britanik tha se falë marrëveshjes së arritur me Tiranën, në dhjetor të vitit të shkuar, autoritetet britanike po kthejnë në Shqipëri më shumë emigrantë, ndërsa numri i emigrantëve shqiptarë, që kanë hyrë me varka të vogla në Britani gjatë këtij viti ka rënë me 90 për qind.

MARRËVESHJA E DHJETORIT

“Në dhjetor arrita një marrëveshje me qeverinë shqiptare, sepse vitin e kaluar, thuajse një e treta e emigrantëve që hynin më varka të vogla në Britani vinin nga ky shtet i sigurt në Evropë. Në gjashtë muaj ne kemi bërë të mundur kthimin e 1800 emigrantëve shqiptarë. Më përpara, një në 5 kërkesa për azil vinte nga emigrantë shqiptar, tani raporti është 1 me 50. Dhe cilat janë rezultatet për këtë? Deri më tani, gjatë këtij viti, numri i emigrantëve shqiptarë që kanë mbërritur me varka të vogla ka rënë me thuajse 90 për qind”, tha zoti Sunak.

Sunak i bëri thirrje parlamentit britanik që të miratojë projektligjin e ri për ndalimin e migracionit të paligjshëm, sipas të cilit pothuajse të gjithë azilkërkuesit që arrijnë në mënyrë të jashtëligjshme në Britani me varka të vogla nga ngushtica e La Manshit, do të ndalohen pa kusht, përpara se të kthehen mbrapsht në vendin e tyre. Projektligji pritet të shqyrtohet në Dhomën e Lartë të Parlementit, ku ligjvënësit mund të përpiqen të zbusin disa prej dispozitave të projektligjit. Sipas projektligjit çdo emigranti që hyn në mënyrë të paligjshme në Britani i ndalohet të kërkojë azil dhe autoriteteve u jepet e drejta të ndalojnë dhe të dëbojnë refugjatët dhe emigrantët. Pasi të dëbohen atyre nuk do t’u lejohet më kurrë që të shkelin në Britani.

Qeveria britanike thotë se projektligji do të frenojë përpjekjet e dhjetëra mijëra njerëzve për të kaluar kanalin e La Mashnit me varka të vogla me shpresën se do të hyjnë në Britani. Por kritikët, përfshirë dhe Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, e kanë cilësuar paketën ligjore të qeverisë britanike të pazbatueshme, ndërsa ka pasur gjithashtu akuza se është në shkelje të ligjit ndërkombëtar.

“DAILY MAIL”

Kontrabandistët shqiptarë po tallen me qasjen e butë të Britanisë ndaj emigrantëve në reklamat që promovojnë shërbimet e tyre. “Home Office” javën e kaluar nisi një fushatë të re në Shqipëri, duke paralajmëruar emigrantët e mundshëm me të cilët do të përballeshin duke u “ndaluar dhe hequr” prej aty. Por, “gangsterët”, të cilët kërkojnë deri në 3500 £ për kalimet e rrezikshme të Kanalit, janë kundërpërgjigjur me reklamat e tyre në platformën e mediave sociale “Tik Tok”. Në një reklamë, të parë nga “Mail”, gangsterët mburren: “Kalimi këtë fundjavë, 3000 £ nga Franca në MB. Askush nuk do t’ju kthejë në Shqipëri”. Reklamat e tjera sugjerojnë se ata që bëjnë udhëtimin do të kalonin vetëm “një ditë në paraburgim”. Hulumtimi nga Observatori i Migracionit i Universitetit të Oksfordit zbuloi se shumica e të liruarve nga ambientet e paraburgimit u mbajtën për më pak se 29 ditë, me vetëm 13 për qind që qëndruan më gjatë. Projektligji i Migracionit Ilegal, i cili është duke u shqyrtuar në Dhomën e Lordëve, do të sigurojë që ata që mbërrijnë ilegalisht në MB do të ndalohen dhe largohen menjëherë.

STREHIMI

Rishi Sunak thotë se në dy platforma të tjera do të dërgohen rreth 1000 njerëz. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të strehojë më shumë azilkërkues nëpër platforma ujore, tha të hënën kryeministri Rishi Sunak. Dy platforma shtesë do të strehojnë rreth 1,000 emigrantë, tha Sunak, së bashku me një që do të ankorohet në Portland në Anglinë Jugore brenda dy javëve të ardhshme. Qeveria thotë se vendimi synon të kursejë miliona nga paratë e taksapaguesve që shpenzohen aktualisht për strehimin e azilkërkuesve në hotele në të gjithë vendin. Sunak tha se, krahasuar me të njëjtën kohë të vitit të kaluar, numri i njerëzve që bëjnë kalimin e rrezikshëm detar me anije të vogla nga Franca veriore në bregdetin jugor anglez deri më tani këtë vit është ulur me një të pestën. Ai pretendoi se Britania e Madhe po vepronte më mirë se vendet e tjera në Evropë, ku tha se kalimet e paautorizuara të emigrantëve janë rritur me një të tretën gjatë së njëjtës periudhë.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re