Rektori i Akademosë së Studimeve Albanologjike, Luan Përzhita, është shprehur se plani për “shkrirjen” e Akademisë së Studimeve Albanologjike do të thotë shkatërrim total i këtij institucioni.

Komentet Përzhita i bëri gjatë një interviste për Panorama TV, ku tha se kjo çështje mund të shkojë në Gjykatën Administrative.

Ai tha se ka pasur një tentativë për shkrirjen e këtij institucioni edhe në vitin 2021, por që sipas tij, nuk u arrit.

“Akademia jonë boton 9 monografi. Pse duhet që një ndërtesë të ngritur me kaq shumë punë e djersë ndër dekada, pse duhet ta zhdukim.

Nga ajo që po dëgjojmë, nga debatet, pretendohet se një pjesë të instituteve aktuale do të kalojnë në Akademinë e Shkencave dhe do të njihen si njësi të vogla kërkimore shkencore. Pra i bie që termi albanologji zhduket. Ky term përfaqëson ADN-në e studimeve kombëtare.

Kur studiuesit e huaj perëndimorë na dërgojnë mbështetje dhe na pyesin sesi ka ndodhur, shprehin keqardhje dhe thonë se janë të shokuar se çfarë po ndodh me Akademinë e Studimeve Albanologjike. Vjen një moment dhe njeriu bën një reflektim.

Unë e njoh mirë Ballkanin dhe ne besoj se jemi lider të burimeve etnografike, historike, etj. Ne nuk mund të bëjmë ndryshime strukturale të institucioneve për interesa… Duhet të kishte një vizion. Duhet të kishte një takim të përbashkët pune. Duhen argumenta, nuk mund të bëjet në këtë lloj mënyre. Kësaj i thonë te dhëndri hanë e pinë, te nusja gjë nuk dinë.

Unë nuk e kam dëgjuar kryetarin e Akademisë së Shkencave, por kjo është një analizë që ha debat. Nëse nuk do ta quajmë shkrirje, çfarë termi mund t’i vëmë kur nuk do të ketë më Akademi të Studimeve Albanologjike. Kjo mbyllje është shkatërrim total i Akademisë. Institucionet tona nuk janë institucione politike, por apolitike. Dijen ne e kemi për popullin. Shqipëria është pak e polarizuar në këtë drejtim dhe kanë marrë veprime të tilla padrejtësisht. Edhe kjo nismë, nëse realizohet, është politike.

Vetëm për shekullin e 20 janë përgatitur 50 vëllime, ku një pjesë e tyre janë botuar. Botimet janë për t’u qarkulluar. Nuk besoj se është kaq e thjeshtë kjo punë. Duan që të forcojnë Akademinë e Shkencave, që sot është një akademi honorifike dhe nuk ka asnjë lloj mundësie që të bëjë kërkim shkencor. Edhe vetë asambleja e Akademisë së Shkencave, janë akademikë sepse janë bërë të tillë nga puna që kanë bërë më para dhe jo nga ajo që po bëjnë tani.

Për të marrë një titull duhet të jesh pjesë e universitetit. Ne jemi rreth 100 punonjës. Këto njësitë e vogla nuk e përballojnë dot.

Në 2021 ka patur një tjetër tentativë për ta shkrirë Akademinë e Studimeve Albanologjike, por nuk u realizua. Senati Akademik ka vendosur të ndjekë anën ligjore. Ne jetojmë në një shtet demokratik ku edhe gjërat në gjykata kanë nisur të rregullohen. Mund ta çojmë çështjen në Gjykatën Administrative. Rektori është dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe sipas Kushtetutës askush nuk mund ta ndërpresë”, u shpreh Përzhita.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re