Në lidhje me planin për krijimin e shtetit sovran të Urdhrit Bektashi në Tiranë, ka ardhur edhe reagimi i parë ndërkombëtare. Zyra e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë në një reagim për Gazetën Panorama Online, thotë se nuk ka asnjë koment për këtë fazë, ndërsa thekson se liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë është e sanksionuar në nenin 10 të Kartës së BE-së për të drejtat themelore.
Zyra e BE në vendin tonë thekson se Bashkimi Evropian mbështet tolerancën dhe dialogun ndërfetar, por nuk ka kompetencë për të rregulluar çështjet fetare.
“Nuk kemi komente në këtë fazë. Liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë është e sanksionuar në nenin 10 të Kartës së BE-së për të drejtat themelore. Në përgjithësi, BE-ja mbështet tolerancën dhe dialogun ndërfetar. BE-ja nuk ka kompetencë për të rregulluar çështjet fetare”, thuhet ne reagim.
Shteti Bektashi pritet te shtrihet në territoret ekzistuese të Selisë Botërore, në një sipërfaqe disa hektarëshe, në një zonë periferike të Tiranës. Që prej vitit 1929, selia botërore e betashinjve u zhvendos nga Turqia, në kryeqytetin shqiptar.
Mbetet e paqartë rruga ligjore që do të duhet të ndiqet për njohjen e sovrantitetit të tij. Kushtetuta shqiptare parashikon në Nenin 1 të saj se “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”. Një ndërhyrje për ndryshimin e saj do të kërkonte një shumicë prej dy të tretave të parlamentit, ose 94 vota.
Shkrimi nga NYT
Lajmi u bë publik pak ditë më parë nga New York Times, e cila zhvilloi një intervistë me kreun e komitetit Bektashinj në Shqipëri, Baba Mondi.
“Zoti nuk ndalon asgjë; prandaj na dha mendjen”, tha Baba Mondi, duke shpjeguar se si synon të sundojë mbi një tokë prej 27 hektarësh që Shqipëria dëshiron ta kthejë në një shtet sovran me administratën e saj, pasaportat dhe kufijtë.
Në intervistë me NYT, kryeministri Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria.
“Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë”, tha ai.
Plani për Shtetin Bektashi do të përfshijë një shërbim të vogël inteligjence, pa ushtri, kufij të rreptë apo gjykata.
Pasaportat do të jenë të gjelbra, një ngjyrë e rëndësishme në Islam, por ende nuk ka detaje për ata që do të jenë të kualifikuar për to.
Baba Mondi ka premtuar se nuk do të ketë ambicie territoriale, duke e fokusuar këtë projekt si një çështje shpirtërore, jo pronësore.
Rama ka shpjeguar se kufijtë e shtetit të ri do të përcaktohen nga toka që Bektashitë e kanë aktualisht, duke shmangur konfliktet mbi pronat.
