Qeveria ka prezantuar në një mbledhje të jashtëzakonshme projektin e rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmetet. Banesat që do të rindërtohen janë në Thumanë, Durrës e Tiranë. Procesi pritet të zgjasë disa muaj dhe kërkon mobilizimin e shumë fondeve, që nuk mund të përballohet vetëm nga buxheti i shtetit.

Për këtë qëllim, njofton Scan.TV, veç fondeve buxhetore që do të akordohen përmes ndryshimit të buxhetit, pritet që të mobilizohen edhe fonde të tjera për të cilat do të diskutohet në ditët në vijim në tryeza ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ofruar për të mbështetur Shqipërinë për kapërcimin e kësaj emergjence dhe do të përbëjnë një burim për të financuar projektin.

Po ashtu, pas pak ditësh do të diskutohet me vendet e NATO-s, jashtë tryezës, vendosja në lëvizjen e Mekanizmit Europian të Ndihmës. Për këtë, Shqipëria ka marrë garanci nga kryeministrat e disa vendeve europiane.

Nga ana tjetër, Presidenti i Turqisë Erdogan ka njoftuar kryeministrin shqiptar se do të mbledhë vendet lindore për të mundësuar një mbështetje tjetër materiale e financiare për këtë proces.

Gjithsesi, në funksion të procesit të kapërcimit të pasojave të tërmetit, qeveri të ndryshme kanë akorduar fonde të posaçme financiare.

Veç mbështetjes me ndihma dhe me forcat e ndihmës së shpejtë dhe të emergjencave, Kosova ka miratuar vendimin për t’i akorduar Shqipërisë 500 mijë euro si ndihmë financiare. Një hap i ngjashëm pritet të merret edhe nga qeveri të vendeve të tjera.

Veç mbështetjes financiare nga jashtë, në funksionon të këtij projekti pritet të bashkohen edhe fondet që po mblidhen nga organizata të ndryshme në vend.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re