Shpatat e tyre kryqëzohen nga krahu ultra-konservator dhe përparimtar i Kishës Katolike Romake. Ultrakonservatorët, të cilët kanë frikë se mund të mënjanohen përgjithmonë pas vdekjes së Papa Benediktit, po ngrenë dukshëm zërat e tyre, duke e parë Papa Françeskun si një liberal.

Siç raporton gazeta britanike Express, tashmë ka një “plan sekret” gati për të dëbuar Papatin!

“Papa Françesku ka qenë nën presion mbytës muajt e fundit për shkak të shqetësimit të madh për shëndetin e tij të dobët dhe nga ata që e shohin atë si tepër liberal”, shkruan artikulli përkatës dhe shton: “Papa argjentinas përballet me mundësinë reale të dëbimit nga Vatikani nga konservatorët mes një “plani sekret” për ta hequr atë pas vdekjes së Papa Benediktit”.

Sulm frontal ndaj Papës

Polemikat brenda Kishës Katolike janë ndezur prej vitesh. Megjithatë, tani që Papa bavarez – i njohur si Joseph Ratzinger – ka kaluar në botën tjetër, krahu i djathtë dhe sekretari i tij personal, është në kundërsulm. Me rastin e vdekjes së Benediktit, gjermani Georg Genswein ka shfrytëzuar rastin për të sulmuar kokë më kokë Papën argjentinase duke thënë se “djalli ishte mes nesh”… “duke treguar” pa përmendur emrin Françesku.

Për më tepër, të premten, fragmente nga libri i Genswein u bënë kryetituj në gazetat italiane. Gazeta Il Messaggero raporton se sekretari personal i Benediktit ankohej për margjinalizimin e tij nga Papa aktual.

Në librin, nën titullin: “Nient’altro che la verita” (Asgjë veç së vërtetës) të Georg Genswein, në disa pasazhe komentohet se, Papa Françesku i kishte dhënë leje të kujdesej për Papa Emeritus, i cili ishte tashmë 92 vjeç. Në një citim të publikuar nga gazeta italiane Il Giornale, Genswein citohet të ketë thënë: “Shpresa e Benediktit që unë të isha lidhja mes tij dhe pasardhësit të tij ishte pak naive”.

Sekretari privat prej shumë vitesh i Benediktit shpreh acarimin e tij në faqet e librit pasi, siç tregon ai, i duhej të qëndronte mënjanë. Në fakt, ai e kishte informuar Papa Françeskun se kjo sjellje i kishte pakësuar autoritetin dhe se ai ishte ndjerë edhe personalisht i poshtëruar prej saj. “Papa pranoi se kisha të drejtë dhe kërkoi falje, por më pas shtoi se përulësia bën shumë mirë”.

Pas diskutimeve mbi librin “Des profondeurs de nos cœurs” (Nga thellësia e zemrave tona) të kardinalit Robert Sara në janar 2020, Genswein i kërkoi përsëri Franceskut një intervistë me pyetjen se si duhet të sillet në të ardhmen. “Ka padyshim plagë dhe dhimbje”, tha Kryepeshkopi italian Vincenzo Paglia, në lidhje me librin e fundit. “Megjithatë, heshtja do të ishte më mirë”, siç theksoi ai në programin e njohur radiofonik të RAI-t, Radio Ach’io.

Benedikti urdhëroi që të shkatërroheshin të gjitha shënimet e tij personale

Genswein shpjegon gjithashtu në librin, i cili pritet të dalë në Itali javën e ardhshme, se Benedikti e urdhëroi atë të shkatërronte plotësisht shënimet e tij private. “Prandaj, Papa Emeritus (2005-2013) urdhëroi asgjësimin e të gjitha shënimeve të tij personale me shkrim, ‘pa përjashtim dhe pa boshllëqe’”, nënvizon ish-sekretari i tij personal.

Në të njëjtën kohë, një raport i Deutsche Welle thekson se “rebelimi” i ultra-konservatorëve kundër progresistëve brenda Kishës Katolike Romake për largimin e Papa Françeskut është dhe nuk është çështje personale.

Nuk është rastësi që pas vdekjes së Papës Emeritus bavarez, krahu ultra-konservator i Kishës Katolike Romake ngriti zërin ndjeshëm, nga frika se ai mund të vihej përgjithmonë mënjanë.

Përgjigja indirekte e Papa Françeskut

Duke folur me diplomatët në Vatikan, Papa Françesku paraqiti një pamje të zymtë të situatës aktuale globale. Në pritjen e Vitit të Ri që i bëri trupit diplomatik, Papa deklaroi edhe një herë se “lufta e tretë botërore në pjesë” është duke u zhvilluar dhe paralajmëroi për holokaustin bërthamor duke iu referuar armiqësive të ndezura në Ukrainë.

Përveç kësaj, ai shprehu dhimbjen e tij për vdekjen e paraardhësit të Benediktit, ceremonia e varrimit të të cilit u bë të enjten e kaluar. Pardje, duke iu drejtuar besimtarëve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku u tregoi rrugën e virtytshme të solidaritetit dhe u bëri thirrje që të shmangin komentet keqdashëse.

“Vëllezër, ne duhet të mbajmë barrën e njëri-tjetrit. Në vend që të bëjmë komente keqdashëse, thashetheme dhe përçarje, le të shikojmë njëri-tjetrin me dhembshuri, le të ndihmojmë njëri-tjetrin”, tha Papa dhe shtoi: “Le të pyesim veten: a jam unë një person që përçaj apo i kuptoj nevojat e tjetrit? Jezusi apo komenti keqdashës? Komentet keqdashëse janë një armë vdekjeprurëse, e cila vret vëllazërinë”.

Kush është Georg Genswein?

Peshkopi 66-vjeçar gjerman i Kishës Katolike, ish-sekretari personal i Benediktit ka lindur në një fshat në Pyllin e Zi që ndodhet në shtetin e Baden-Württemberg. Flet rrjedhshëm italisht, spanjisht, gjermanisht dhe latinisht, është djali i një farkëtari, ka katër vëllezër dhe sapo u rrit, mori vendimin e madh për t’u bërë prift.

Në vitin 1974 filloi shkollimin dhe në vitin 1984 shugurohet meshtar i Kryedioqezës së Freiburgut. Në vitin 1993 u transferua në Romë dhe tre vjet më vonë u bë profesor i së Drejtës Penale në Universitetin Papnor të Kryqit të Shenjtë. Aty dha mësim deri në vitin 2005. Në vitin 2007 përmendet si kandidat i mundshëm për kryepeshkop të Kryepeshkopatës së Mynihut.

Në gusht 2013 ai deklaroi se nuk e shihte veten të kthehej në Gjermani si kryepeshkop dhe se e kishte fokusuar punën e tij në Romë. Në asnjë rast, siç kishte thënë ai, nuk e priste që me dorëheqjen e Benediktit të kishte ndryshim stafete.

Në janar 2007, artistja dhe stilistja e famshme italiane Donatella Versace përdori Genswein si frymëzim artistik për “Koleksionin e Kleritëve” të vjeshtës 2007, duke përforcuar pseudonimin e tij “Gorgeous George” (italisht: Bel Giorgio) (Nice George). Në janar 2013, një foto e Genswein – pa pëlqimin e tij – u shfaq në kopertinën e edicionit italian të revistës Vanity Fair.

Në jetën e tij private, Gensëein luan tenis, ski dhe i pëlqen pilotimi. Më 6 janar 2013 u shugurua peshkop nga Papa Benedikti. Disa ditë më vonë, Papa njoftoi se do të jepte dorëheqjen më 28 shkurt me Genswein duke theksuar se ai e dinte këtë shumë përpara se ta shpallte. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re