Skip to content

Plas në Kuvend/ Berisha sulmon Gonxhen: Hyri në lice vetëm se vizatoi makinën e ‘xhaxhit Enver’! Ministri i kthehet ashpër: Plak matuf, një zhele prej 37 vitesh…

fgjukhlij

Seanca e sotme parlamentare është shoqëruar me debate dhe akuza mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe ministrit Blendi Gonxhja.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha ka sulmuar Gonxhen, duke ironizuar mënyrën se si ai ka hyrë në Liceun Artistik. Kreu i PD-së tha se ministri kishte përfituar nga një histori e fëmijërisë, kur në moshën 8-vjeçare kishte vizatuar makinën e ish-diktatorit Enver Hoxha.

Berisha lexoi një histori sipas së cilës, në vitin 1976, gjatë një vizite të Enver Hoxhës në Gjirokastër, babai i Gonxhes e kishte nxitur të birin të vizatonte makinën e udhëheqësit komunist. Më pas, sipas versionit të paraqitur nga Berisha, fëmija ia kishte dhuruar vizatimin Enver Hoxhës.

Kreu i opozitës pretendoi se Gonxhe nuk ishte pranuar fillimisht në konkursin e Liceut Artistik dhe se kishte arritur të hynte pasi gazetat kishin publikuar historinë e vizatimit të makinës së Enver Hoxhës.

“Edhe ky këtu, më fal se do lexoj pak se si u bë piktor ky. Dëgjojeni pak, prisni tani, dëgjoni pak këtu. ‘Doktor, si shkoi Blendi Gonxhe në lice për pikturë se piktor nuk u bë asnjëherë’.
Do e lexoj këtu pak, se është shumë e bukur. ‘Doktor, në vitin e largët 1976, Enver Hoxha shkoi në Gjirokastër dhe të nesërmen e arritjes do të takohej me popullin.
Agimi, ish-shefi i shëndetësisë i divizionit, do të ishte në rreshtin e parë. Ai i thotë djalit: Blendi, i cili ishte 8 vjeç dhe shkonte në rrethin e pikturës në Shtëpinë e Pionerit, Blendi vizatoje makinën e xhaxhit Enver. Blendi në një letër format 4 e vizatoi një Mercedes dhe vuri targën. Të nesërmen, Agimi, i ati, ulur në rreshtin e parë, e shtyn Blendin dhe i thotë, ik tregoja pak xhaxhit Enver vizatimin. Blendi shkoi dhe shoku Enver, si gjigant që ishte, i thotë Agimit, dhe Agimi se kishte frikë se mos ishte i deklasuar, Agimi i thotë i imi shoku Enver, me shumë krenari për të’.
Por kur ky shkoi dhe u paraqit në konkurs në lice, e rrëzoi juria. Dhe tani si hyri? Hyri duke dërguar gazetat që shkruajtën se Blendi vizatoi makinën e xhaxhit Enver”, tha Berisha.

Por ministri Blendi Gonxhja nuk ka qëndruar pa përgjigje, duke kundërshtuar akuzat dhe duke këmbëngulur se pranimi i tij në Liceun Artistik dhe më pas në Akademinë e Arteve ka qenë rezultat i meritës.

Gonxhja deklaroi se kishte nisur të vizatonte që në moshën 3-vjeçare dhe se vizatimin e makinës ia kishte dhuruar Enver Hoxhës kur ishte vetëm 8 vjeç.

Ai ironizoi Berishën, duke thënë se një fëmijë i asaj moshe nuk mund ta dinte se personi që po takonte ishte diktatori i vendit.

Ministri më tej iu kundërpërgjigj ashpër kreut të PD-së, duke e cilësuar atë si një ish-sekretar partie dhe duke deklaruar se kishte hyrë në Lice dhe në Akademinë e Arteve me meritë.

“Unë kam vizatuar që 3 vjeç dhe vizatoja shumë bukur. Unë ia kam dhuruar si fëmijë 8 vjeç atëherë udhëheqësit të vendit, Enver Hoxhës. Në 1978 një fëmijë 8  vjeç nuk mund të dinte se ai që do takonte ishte diktatori. Dhe kush na tregon këtu, një sekretar partie i rëndomtë , një plak matuf , dhe një zhele prej 37 vitesh që nuk i shporret këtij vendi nga sytë. Dhe të vjen ndot, por për respekt të qytetarëve që na dëgjojë , që Bled Gonxhe në lice ka hyrë me meritë në Akademinë e Arteve ka hyrë me meritë”, tha nga ana tjetër Gonxhe.