Pas platformës anti-oligarki në ekonomi, opozita ka shpalosur platformën për çlirimin e zgjedhjeve nga krimi. Duke pretenduar se proceset zgjedhore tashmë kontrollohen nga bandat, të gjithë në shërbim të pushtetit, kryetari Basha që bëri prezantimin e saj tha   se “vota në Shqipëri diktohet nga krimi, paratë e pista dhe presioni shtetëror”.

“Problematika zgjedhore është evidentuar edhe në raportin e fundit të OSBE-ODIHR-it. Kemi nevojë urgjente për të çliruar votën nga krimi dhe jo për amendime fasadë”, shtoi më tej Basha.

“Po nuk u nda politika nga krimi nuk ka shans për zgjedhje të lira e të ndershme. Ngjarjet kriminale të ditëve dhe javëve të fundit kanë patur një të përbashkët: kudo ku ka krime të rënda ka lidhje të autorëve me zgjedhjet”, shtoi kreu demokrat.

“Pushteti i marrë përmes krimit vihet në shërbim të krimit dhe mbahet përmes krimit. Platforma e opozitës konsiston në dekriminalizimin e procesit zgjedhor, sistem masash kundër shit-blerjes së votës, reduktim të shpenzimeve të fushatës dhe financim shtetëror, numërimi elektronik i votave”, deklaroi Basha.

Kryedemokrati renditi më pas emra qeveritarësh e deputetësh, që sipas tij janë të lidhur me krimin, përfshirë atë zgjedhor.

Te lista e pushtetit shtoi emrin e Ulsi Manjas, ndërsa te krimi atë të Imer Lalës, që të dy nga Dibra. Por veçon ky i dyti, pasi njihet si eksponent i PDIU-së së Shpëtim Idrizit, prej dy javësh kaluar në koalicion me PD-në. Imer Lala arriti që të fusë të bijën në parlament, Reme Lalën, nën siglën e partisë së Idrizit.           

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re