Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka zhvilluar një bashkëbisedim online me përfaqësues të Parlamentit të Nxënësve, mbi efikasitetin e mësimit në kushte shtëpie dhe si mund të përmirësohet më tej.

Gjatë bashkëbisedimit janë mbajtur shënime për idetë apo problematikat e ngritura me qëllim adresimin e tyre në vijim.

Në fillim të kësaj bisede, një prej përfaqësuesve nënvizoi faktin e mirë se mësimi online ka shërbyer pozitivisht për t’i mbajtur nxënësit të lidhur me shkollën, si dhe t’i ndihmojë ata të përsërisin mësimet e mëparshme.

Nga një përfaqësues u hodh ideja e krijimit të një platforme falas online “Nxënësit për Nxënësit”, e cila mund të lejojë nxënësit të ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre, apo pse jo të ndihmohen nga shokët e shoqet për vështirësi të ndryshme të hasura gjatë kësaj periudhe. Në thelb, kjo lloj platforme synon të rrisë efikasitetin, gjithëpërfshirjen e solidaritetin, gjë e cila mund të vazhdojë të zbatohet edhe pas periudhës së mbarimit të pandemië COVID-19.

Ministrja Shahini e mirëpriti këtë draft-propozim dhe u shpreh se do të shikohet në vijim se si mund të realizohet nga ana teknike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re