Shumë shpesh kryeministri Rama e ka thënë që nuk do të ketë normalitet pa u gjetur një vaksinë për koronavirusin. Dhe, si duket normalitetit nuk do t’i kthehen as plazhet ku këtë vitet pritet të mos ketë shezllone.

Hapësirat në bregdet do të jenë publike dhe qytetarët do të akomodohen me mjetet e tyre në plazh. Kështu është shprehur kryeministri Rama në emisionin “Opinion” ndërsa shton se shezllone në plazh, do t’u lejohen vetëm hoteleve.

Rama u shpreh:

“Nuk do të lejojmë më asnjë kontratë private për shezllonë dhe çadra, përveç hoteleve. Hotelet kanë turistë, kanë vizitorë, ata mund të vendosin kontratat e tyre. Ndërkohë plazhet e tjera do të jenë plazhe publike dhe qytetarët do të bëjnë plazh siç bënim ne dikur kur ishim të vegjël, që shezllone nuk kishte dhe akomodoheshim me ato mjete rrethanore. Plazhet do të jenë publike. Nuk do të ketë më njerëz që dalin me hunj apo dhëmbë të prishur, që i thonë atyre djemve dhe vajzave: paguaj 5 euro të hysh këtej e të dalësh andej, 7 euro peshqiri, dy euro jastëku. Plazhet do t’i kenë shqiptarët.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re