SHQIPËRI- Një ditë më parë, babai me dy djemtë e mitur humbën jetën në plazhin e Vilë Bashtovës. Kjo ngjarje shkaktoi frikë tek pushusit, ndërsa ende pa kaluar 24 orë nga tragjedia, autoritetet kanë vënë në pranga administratorin e zonës së plazhit.

Gazetari Leonidha Musaj, tha se edhe ato kulla vrojtimi që janë ngritur në plazhe janë pa personel të kualifikuar. Ai theksoi se vetëm plazhi i Spillesë mund të cilësohet si plazhi më i mirë dhe më i sigurt për pushuesit.

“Të gjitha kullat janë të ngritura janë pa personel të kualifikuar. Mungesa e rojeve së plazheve është pothuajse në të gjithë vijën bregdetare në Kavajë dhe në Durrës, i vetmi plazh, i cili është model që ka sigurinë e duhur është plazhi i Spillesë në Kavajë”, tha ai.

Po ashtu edhe në plazhin e Velipojës ekziston e njëjta pamje. Gazetari Simon Shkreli thotë se plazhi është pa roje, por fatmirësisht deri tani nuk ka pasur humbje jete si pasojë e mbytjes.

“Është një diçka e përvitshme. Nuk është se mungojnë vetëm këtë vit. Është një situatë e rëndomtë mungesa e vrojtuesve të plazhit përveç disa segmenteve, kryesisht në zonën e qendrës ku ka vëzhgues plazhi. Në pjesët tjera të Velipojës, pjesa më e madhe nuk kanë vrojtues. Sa i përket rojeve të plazheve, gjithë pushuesit janë të vëmendshëm vetë dhe fati ka dashur që deri në këto momente të mos të ketë fatalitete”, raportoi gazetari Shkreli.

Gazetari thotë se administratorët e plazheve qëllimin kryesor e kanë fitimin, dhe jo sigurinë e tursitëve, të cilët pushojnë në bregdet.

“Administratorët e plazheve qëllimin kryesor e kanë vetëm fitimin dhe jo të ofrojnë shërbime sa më shumë. Nuk merret asgjë seriozisht. Jemi në Velipojë dhe në gjithë gjatësinë e plazhit të Velipojës mund të jenë tre kulla, të cilat edhe ato janë bosh”, shtoi gazetari.

Panorama është e njëjtë edhe në plazhin e Shëngjinit. Pushuesit thonë se rojet bregdetare duhet të shtohen në numër. Ndërkohë, pushuesit e Vlorës u shprehën të trishtuar për ngjarjen e djeshme në Vilë Baashtovë dhe për këtë arsye kërkojnë më shumë siguri./ n.m.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re