Edhe pse ndodhemi vetëm një muaj largë zgjedhjeve vendore, bashkitë vijojnë të mbyllin prokurime me procedura të dyshimta. Bashkia e Kuçovës ditën e martë shpalli fituesin për pastrimin e mbetjeve urbane me vlerë 1.3 milionë euro, duke skualifikuar ofertën më të arsyeshme.

Në një kohë kur duhet të jenë të fokusuar tek fushata zgjedhore e cila është pothuajse 1 muaj larg, bashkitë në vend vijojnë të mbyllin prokurime me shpenzime të mëdha me procedura të dyshimta. një prej tyre është Bashkisë së Kuçovës që drejtohet nga Kreshnik Hajdari, e cila ditën e martë mbylli tenderin për pastrimin, grumbullimin dhe transportin në venddepozitim të mbetjeve urbane.

Në të përfshihet Kuçova dhe njësitë administrative Perondi, Kozare dhe Lumas dhe do të zgjasë për katër vite. Projekti do të kushtojë 149 milionë lekë, ose 1.3 milionë euro. Për tenderin kanë shfaqur interes tre kompani, ku dy prej tyre janë skualifikuar nga gara dhe fitues është shpallur subjekti “Viola Green” që kishte kërkuar sa 97% të vlerës së tenderit për ta kryer punën.

Ndërsa konkurrenti tjetër “Alko Impex Construction”, është skualifikuar me arsyetimin se nuk ka paraqitur dokumentet e tjera shoqëruese të ofertës së tij. Çuditërisht subjekti në fjalë në tenderin e bashkisë Kuçovë nuk paska përmbush kriteret, pasi vetëm pak ditë më parë fitoi tenderin për pastrimin e mbetjeve në bashkinë Shkodër.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re