Plehrat kanë pushtuar Durrësin dhe prej disa javësh ky është prej problemeve kryesore të banorëve. Kjo situatë alarmante e vërejtur jo vetëm në qytetin bregdetar,por edhe në zonat e tjera si në Manzë.
Shumë qytetarë kanë dalë në protestë përpara bashkisë, duke kërkuar që të merren masat e menjëhershme.
Këshilli bashkiak i Durrësit shpall gjendjen e emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në territorin e bashkisë Durrës për shkak të mbylljes së venddepozitimit të Porto-Romanos. Mbledhja e jashtëzakonshme është bërë online mesditën e sotme. Mbyllja e sheshit të depozitimit të mbetjeve në Porto Romano, të cilin qeveria shqiptare synon ta transformojë në një park urban ekologjik falë një investimi prej 15 milionë eurosh, e ka lënë bashkinë e Durrësit pa një alternativë të vlefshme për depozitimin e plehrave.
Por kjo situatë e krijuar në Durrësit që tregon se është pa studiuar mirë nga ana e bashkisë së Durrësit, ka shkaktuar edhe reagimin e Partisë Demokratike. Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka në një konferencë për median ngriti akuza se po tentohet të jepen lekë për inceratorin e Sharrës, duke i dhënë 100 milionë euro shtesë për plehrat e Durrësit.
“Në kulmin e pandemisë, mbyllën venddepozitimin e mbetjeve në Porto Romano, përmes një tenderi të paracaktuar nga Edi Rama. Më pas, shpërndanë në disa vende të dukshme mbetjet e Durrësit. Pastaj, mafia e la Durrësin pa pastruar, në mënyrë që qytetarët të mërziten dhe të mos interesohen për aferën korruptive 100 milionë euro për largimin e plehrave nga qyteti. Dhe në fund, i dogjën plehrat publkisht, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore në Manzë, në një zonë që merr vëmendjen si nga Tirana, ashtu edhe nga Durrësi”, deklaroi Paloka.
Më tej ai thekson se “ë inceneratorin e Tiranës, mafia e plehrave është fshehur pas një kompanie fantazëm, e regjistruar në parajsë fiskale. Me këmbënguljen e Edi Ramës, shteti shqiptar do t’i kalojë 100 milionë euro për plehrat e Durrësit, kur fare mirë, mund të kishte ndërtuar një landfill modern që zgjidhte problemet mjedisore dhe të pastrimit të qytetit që përballon fluksin më të madh turistik në vend”.
/shqip
