Situata në Bashkinë e Kavajës si pasojë e mbetjeve urbane që kanë pushtuar zonën turistike të zonës, por jo vetëm, vijon prej disa ditësh tashmë të jetë tepër e rëndë.
‘Fax News’ ka kryer një vëzhgim për gjatë rrugës nga Përroi i Agait në Qerret dhe situata paraqitet tepër problematike me pirgjet e mbeturinave, që kanë mbushur jo vetëm koshat, por kanë dalë edhe jashtë tyre, duke zënë deri edhe rrugën për automjetet dhe këmbësorët.
Sipas gazetares sonë atje, Kloida Gjuzi, situata është tepër problematike, ku ashtu si në Golem, edhe për gjatë këtij aksi, që duhet thënë tanimë është në kulmin e sezonit turistik dhe tepër e rrahur nga turistët vendas e të huaj, mbetjet urbane janë lënë në kosha prej disa ditësh dhe se deri më tani asnjë reagim nuk ka pasur nga Bashkia e Kavajës, me gjithë denoncimet e njëpasnjëshme të banorëve të këtyre zonave.
Përmendim këtu faktin se shkak për situatën e krijuar lidhet me zbulimin e landfillit ilegal, gjë që ka çuar në këtë bllokim të procesit, dhe kjo ka bërë që Bashkia e Kavajës të mos ketë asnjë vend se ku ti depozitojë këto mbeturina, duke bërë që ta shikojë zgjidhjen tek lënia e tyre atu ku janë.
Sipas banorëve të zonës kjo është një situatë tepër e rëndë, pasi ata rrezikohen tanimë jo vetëm nga sëmundje të ndryshme dhe infeksione, por kjo po u largon edhe ato pak turistë që zgjedhin këtë zonë për të kryer pushimet e tyre verore.
E duket se më të goditurit janë sigurisht bizneset, të cilët mezi e prisnin hapjen e sezonit turistik veror, pas krizës së rëndë që i preku si pasojë e mbylljes nga Covid-19, por duket se mos-kokëçarje nga ana e institucioneve lokale, po i shkakton krizën e dytë, pasi në këtë situatë ku ndodhet zona, vështirë që pushuesit të shkojnë të pushojnë aty.
Ndërkohë, të pyetur nga kamera e ‘Fax News’, banorët shprehen se mbeturinat kanë më shumë se sa një javë në zonë që nuk janë prekur me dorë nga askush dhe si pasojë ata ndihen të rrezikuar nga ana shëndetësore, por edhe pse janë interesuar dhe kanë kërkuar një zgjidhje për situatën, ende asnjë reagim nuk ka pasur nga Bashkia e Kavajës, që në këtë rast ka zgjedhur të heshtë.
…
/faxweb
