Shefja e Pavionit të Onkogjinekologjisë në QSUT, Silvana Çeliku u shpreh e revoltuar se masat duhet të shtrëngohen sepse përndryshe populli shqiptar nuk merr vesh. Ajo përshkroi një skenë që kishte parë në rrugën “Komuna e Parisit”, me qytetarë që shfrytëzonin orarin e tyre të lirisë.

 

“Jam e zemëruar, e indinjuar pafund me realitetin që pashë sot në mëngjes tek rruga Komuna e Parisit. Njerëz të lumtur që shëtisnin për shtatë palë qefe. Pleq në lulishte që pa pikë turpi pështynin pertoke e fshinin duart tek trungjet e pemëve. Familje të tera që ecnin te shkujdesura e shumë të tjerë që bënin blerje pa respektuar distancat apo dhe pa mjete mbrojtëse. Me statusin e mjekes i bëj një thirrje kryeministrit e ministres tonë që të shtrëngojë masat akoma më shumë. Ky popull nuk zë mend.”

 

Doktoresha theksoi se edhe në Shqipëri duhet të aplikohet e njëjta rregullore si në Kinë për kapërcimin e situatës. Nëse kjo nuk ndodh, sipas saj, nuk do të kemi më vende për të varrosur viktimat.

 

“Ne duhet te kemi shembull vetëm Kinën. Vetëm një pjesëtar i familjes duhet të dalë për të blerë më të domosdoshmet dhe jo përditë, ndryshe o popull do vijë momenti që do mjekoheni nga veterinerët dhe stomatologët. (pa fyer aspak profesionalizmin e tyre). Policia e ushtria të kontrollojnë çdo rrugë ku të vihen postblloqe kontrolli. Situata është kritike. Kush nuk duron dot, të pijë uthull. E keqja o popull po ju vjen nga virusi të cilin nuk do ta kuptoni se nga do tu vijë. Nga familjari? Nga komshiu? Nga shoku apo miku? Konsideroni çdo njeri që keni në krah si person të infektuar, ndryshe nuk do ketë me vende ku të na varrosin.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re