Ngjarja tragjike me një autobus nga Maqedonia të shkrumbuar në një prej autostradave të Bullgarisë, është njëherësh një tragjedi shqiptare, shumë më e rëndë se ajo e djegjes së spitalit COVID në Tetovë pak kohë më parë.

Janë 45 shqiptarë që kanë humbur jetën llahtarisht, mes tyre 12 fëmijë. Autobusi po kthehej nga Turqia, ku motivet e udhëtimit kanë qenë turistike.

Më saktë, kanë qenë tre autobusë të një kompanie, e cila organizonte udhëtime për shopping në Stamboll, pasi siç dihet, shqiptarët e Maqedonisë janë shumë të lidhur me Turqinë.

Autobusi, një nga tre që po udhëtonin në kolonë, ku udhëtonin 51 pasagjerë dhe dy shoferë, ka hyrë përmes pikës kufitare Kapitan Andreevo pak pas orës 21:00, në mesnatë, ka ndaluar në një pikë karburanti dhe, rreth orës 2.00 ka ndodhur aksidenti tragjik. Autobusi ka thyer rreth 50 metra mbrojtëse metalike të rrugës dhe më pas ka shpërthyer në flakë.

Shkaqet e aksidentit të rëndë nuk dihen ende, por sipas ekspertëve mund të jenë tre: monsfunksionim teknik, një problem shëndetësor që mund të ketë pësuar shoferi që ishte në timon ose përgjumja e tij.

Ministri i Brendshëm në detyrë i Bullgarisë, Bojko Rashkov e përshkroi aksidentin si ngjarjen më të tmerrshme që kishte parë ndonjëherë.

“Pamjet janë të tmerrshme, jo të gjithë mund t’i durojnë. Nuk kam parë kurrë një gjë të tillë në jetën time”, tha ai.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re