Ish-kryeministri japonez Shinzo Abe u qëllua pas shpine me armë zjarri dhe përflitet se mund të ketë vdekur.

Politikani 67-vjeçar po mbante një fjalim fushate në qytetin Nara, në Japoninë perëndimore.

Personi që qëlloi ndaj politikanit – kryeministri më jetëgjatë i Japonisë (2006-2007, 2012-2020) – është arrestuar dhe arma që ai përdori është sekuestruar nga policia, thanë mediat.

Bëhet fjalë për një 42-vjeçar, sipas informacioneve të para, ish-ushtarak.

Ish-kreu i qeverisë ishte duke mbajtur një fjalim përpara zgjedhjeve të Senatit të së dielës kur u qëllua, sipas transmetuesit publik japonez NHK dhe agjencisë së lajmeve Kyodo.

Shinzo Abe u rrëzua i gjakosur nga gjoksi dhe qafa, tha një burim i afërt me fraksionin e tij, Partinë Liberal Demokratike (LDP), për agjencinë e lajmeve Jiji.

Kryeministri japonez Fumio Kishida ka njoftuar se po nxiton të kthehet në kryeqytetin e vendit, Tokio, duke ndërprerë fushatën e tij zgjedhore, pasi një person i armatosur sulmoi paraardhësin e tij dhe një anëtar aktual të partisë së tij, raportuan mediat japoneze.

Informacioni se “ish-kryeministri Abe (…) është në një gjendje arresti kardio-respirator” u raportua për herë të parë nga NHK, duke përdorur terminologjinë e autoriteteve japoneze kur vdekja thjesht mbetet për t’u deklaruar nga një mjek.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re