I ftuar në emisionin “Prime News24”, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka komentuar projektin e ri të Kodit të Procedurës Penale të propozuar nga kryeministri Edi Rama. Murrizi ka lëshuar akuza të forta, duke u shprehur se ndryshimet po bëhen nga kreu i qeverisë për interesat e tij personale dhe për të mbrojtur zyrtarët e korruptuar.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se ndërsa në vitet e para të qeverisjes njerëzit e thjeshtë përfundonin në burg për energjinë elektrike apo për ndërtime të vogla, tani po tentohet të hiqet masa e arrestit me burg për të ashtuquajturat “krime me kollare”.
“Ky po i bën ndryshimet për veten e tij. Ambasadori që ka ardhur tani është i fortë. Rama po bën një kod procedure për veten e tij. Kodi ka burgun, masën më të fortë shtrënguese. Gjithë krimet e këtyre me kollare në shtet, ky do ta heqë fare arrestin me burg,” u shpreh Murrizi.
Më tej, ish-deputeti u ndal te roli i institucioneve të drejtësisë, të cilat sipas tij kanë reaguar ndaj këtyre nismave, por ndodhen përpara një ngërçi pasi nuk kanë vota në Kuvend për të bllokuar ligje të tilla.
Për këtë arsye, ai theksoi se shpresa e vetme mbetet te reagimi i fortë i partnerëve ndërkombëtarë për të ndaluar miratimin e këtij projektligji në Parlament.
“Ky 4 vitet e para futi në burg njerëzit se nuk kishin paguar dritat, për një çati, për një kotec. Drejtësia ka reaguar kundër, por nuk kanë vota atje në Kuvend. Pres që ndërkombëtarët të reagojnë fort dhe ta ndalojnë që të mos e votojë atë ligj. Prokuroritë, SPAK, gjyqtarët nuk kanë vota në Parlament,” përfundoi Murrizi.
