Kryetarja e Komisionit Hetimor për Check-Up, Albana Vokshi, pas dështimit për herë të tretë të mbledhjes, është shprehur se socialistët po bojktojnë me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

Vokshi u bëri thirrje deputetëve socialistë të mos ndjekin, sipas saj, urdhrat e Ramës dhe nënkryetarit të Komisionit, Plarent Ndreca. Ndërsa theksoi se ky i fundit dhe Milva Ekonomi janë në konflikt interesi, duke bërë thirrje për zëvendësimin e tyre.

“E kemi thirrur mbledhjen bazuar në ligj. Është hera e tretë radhazi që bojkotojnë. Maxhorancë që bojkoton është vetëm kjo në parlamentin shqiptar, me urdhër të Ramës po bojkotojnë punimet dhe hetimet parlamentare. Nëse për herë të tretë radhazi mungon 1 ose disa deputetë për arsye të papërligjura, ndaj tyre merret masa e largimit të deputetëve të maxhorancës dhe zëvendësimit të tyre.

Të 8 deputetët për herë të 3 radhazi e kanë bojkotuar për arsye të papërligjshme, kanë shkelur rregulloren. I bëj thirrje deputetëve të mazhorancës që mos të ndjekin porosinë e Ramës që nuk do hetim parlamentar, të mos ndjekin Plarent Ndrecën, vendosja e të cilit si nënkryetar komisioni është provokim i hapur që i bëhet opozitës sepse është nën konflikt interesi. Ka qenë avokat i disa prej personave që janë nën akuza nga SPAK për këto çështje.

Rikujtoj që është Milva Ekonomi është në konflikt interesi, sepse ka drejtuar grupet e punës për studimin e fizibilitetit dhe dokumentave të tenderit për të dy koncesionet, i kam bërë thirrje të dorëhiqet. Nuk pres nga Plarent Ndreca të dorëhiqet, është kallëzuar nga KLSH dhe denoncuar për afera korruptive, jo vetëm ka mbrojtur të akuzuar.

Milva Ekonomi nuk mund të hetojë veten e saj. I bëj thirrje kryetares së Kuvendit rë zëvendësojë dy personat sepse s’mund të hetojnë veten.

Bazuar në ligj kemi depozituar planin hetimor që e kemi hartuar së bashku me ekspertë”, tha Vokshi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re