Hemoragjia e mjekeve nuk ndalet. Çdo vit 150 mjekë tërheqin pranë urdhrit profesional certifikatën e sjelljes së mirë, dokument që iu mundëson punësimin jashtë Shqipërisë.

Nuk behet fjalë vetëm për mjekë të rinj, por dhe specialistë që prej vitesh kanë ofruar shërbim në spitalet shqiptare.

Destinacion i parapëlqyer mbetet Gjermania dhe kjo për shkak të lehtësive që krijon në njohjen e diplomave dhe kualifikimeve profesionale

“Ne kemi të regjistruar 6180 mjekë. Në total 520 mjekë shqiptar punojnë në Gjermani. Vitin e kaluar ishin rreth 30 mjekë të specialiteteve të ndryshmë që kërkuan largimin”.

Paga është një ndër arsyet e largimit të tyre nga Shqipëria, por sipas Presidentit të Urdhrit të Mjekut nuk është e vetmja.

“Mjekët duan kushte të mira për të bërë mjekësi të mirë”, tha ai.

Ky largim i mjekëve në vendet e tjera europiane a krijon vakum?

“Po, sigurisht pai ne nuk kemi tepër mjekë, kjo mbingarkon ata që mbeten dhe në ato raste kur është specialisti i vetëm krijon probleme për postimin e të sëmurëve ose drejt Tiranës ose në një rreth më të afërt”.

Vakumi në spitalet e rretheve sipas Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastriliu po plotësohet me specialist të rinj dhe programeve të patronazhimit.

“Janë më shumë se 130 mjekë që janë punësuar, në spitalet bashkiake dhe rajonale duke plotësuar atë vakum që ishte krijuar nga mungesa e specializimeve për shumë vite. Sigurisht të dy programet, edhe programi i Bonusit edhe programi i patronazhit vijojnë të jenë dhe të zbatohen në këto spitale sidomos në spitale bashkiake të cilat ende ka mungesa. Mund të themi që mungesat bazë që ishin për mjekë kardiolog, kirurg, anestezist janë tashmë të plotësuara në spitalet rajonale. Sigurisht do të vijojmë me këto programe.”

Ndërkohë të gjithë ata mjekë që dëshirojnë të bëhen pjesë e sistemit shëndetësor në vend kanë mundësi të aplikojnë në portalin “Mjekë për Shqipërinë” deri më 15 qershor për tu punësuar në pozicionet e lira në spitale apo qendra shëndetësore./ ABC News

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re