Gjatë ditës së djeshme socialistët e Gjirokastrës lajmëruan me zell, se ishin shtuar me një anëtare të re, të larguar nga LSI, deputeten Ediola Braha, e cila në fakt prej dy vitesh është në mbështetje të mazhorancës në Kuvend.

Ishte ministri Bledi Çuçi, dhe njëherësh drejtues politik i qarkut të Gjirokastrës, ai që njoftoi për lëvizjen e Brahës, që në fakt duket se nuk është asgjë e re, sa kohë që ajo ishte distancuar nga LSI-ja, pas pranimit të mandatit të deputetes, një dhuratë që iu bë nga djegia e mandateve.

Lidhur me këtë lëvizje ka pasur batuta pikante në mes të Vangjel Tavos dhe Çuçit, ndërkohë që prej disa ditësh ka nisur një merkato e frikshme politike.

“Po ç’na bëre more Bledi!? Po si na e bëre këtë o Bledi!? Po si na e more o Bledi!? Po si nuk e kuptove prej dy vitesh kur të erdhi në zyrë (të kujtohet?) që ishte e juaja o Bledi!? Po si nuk e kuptove që ishte e juaja teksa votonte çdo ligj të “Rilindjes”, o Bledi!?

Po si nuk e kuptove o Bledi, se sa talent kishte dhe sa e vlefshme ishte për “Rilindjen” kur e përzgjodhët relatore të ndryshimeve kushtetuese për kodin zgjedhor? Mos more Bledi çfarë na bëre! Na more një vlerë të madhe me famë ndërkombëtare!  Sa për shkërmoqjen, o Bledi, është “Rilindja” drejt shkërmoqes totale më 25 prill. Asgjë e askush nuk mund ta ndalë më karrocën e “Rilindjes” tashmë të drejtuar drejt greminës”, shkruante Tavo në rrjetet sociale, ndërsa nuk vonoi as reagimi i Çuçit, i cili shprehej se dhe e gjithë struktura e LSI-së në Lunxhëri kishte kaluar me PS.

“I dashur Vangjel, e shoh që të paska dhembur kalimi i Ediolës tek PS përderisa reagove vetëm për atë dhe nuk të bëri përshtypje kalimi këtë të shtunë i të gjithë strukturës së LSI të Lunxhërisë tek PS….. por e kuptoj pse. Gjithsesi, nuk është faji im që u katandis në këtë derexhe lista e LSI në 2017; Ediola te PS dhe ti tek PD. Miqësisht!”, shkruan Çuçi në reagimin e tij.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re