Skip to content

“Po fabrikohet në zyrat e ‘krye’ministreshës Balluku”- PD denoncon: Kriza energjetike e qëllimshme po ‘pushton’ Shqipërinë! Mungesa e saj do t’u kushtojë shqiptarëve mbi 80 mln euro

WhatsApp Image 2024 11 01 at 13.01.22

Partia Demokratike ka denoncuar se po fabrikohet kriza energjetike në vend dhe, sipas PD, po ndodh në zyrat e ministres së Energjisë, Belinda Balluku.

“‘Kriza’ e rradhës duket se po fabrikohet në zyrat e Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës drejtuar nga “krye”ministresha Balluku. A po shkon Shqipëria drejt një krize energjetike, të qëllimtë, teksa rezerva hidrike e Fierzës ka zbritur drejt kuotës 267 metër?”, u shpreh anëtari i Këshillit Kombëtar, Akil Kraja.

Ai u shpreh se për të mbushur mungesën nga prodhimi vendas, “Ministria dhe agjencitë nën përgjegjësinë e Ministres Balluku do të duhet t’i adresohen blerjeve në bursë”.

“Por siç është bërë tanimë zakon, Shqipëria e shet lirë dhe e blen shtrenjtë energjinë e saj. Një praktikë abuzive, që shkel çdo protokoll e proçedurë të energjisë”, theksoi Kraja.

 

Deklarata e plotë:

Prej vitit 2013, fjala “krizë” ka shoqëruar çdo vendimarrje abuzive të qeverisë Rama. Termeti i vitit 2019 ishte justifikimi ideal për të mbuluar abuzimet me fondet e rindërtimit. Covid-19 u gjet si justifikim për qindra tenderë sekretë. Më herët, kriza mjedisore u përdor si justifikim ligjor e financiar për të grabitur qindra milionë euro me inceneratorët fantazëm. “Kriza” e rradhës duket se po fabrikohet në zyrat e Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës drejtuar nga “krye”ministresha Balluku.

A po shkon Shqipëria drejt një krize energjetike, të qëllimtë, teksa rezerva hidrike e Fierzës ka zbritur drejt kuotës 267 metër?

Ky nivel i kuotës garanton aktualisht 423 milion Kw/orë prodhim energjie.

Sipas rregullores së digave në kaskadën e Drinit, niveli në liqenin e Fierzës duhej të ishte 289 metra, ose 22 metra më shumë se niveli i sotëm prej 267 metrash.

Në terma prodhimi, sot, sipas rregullores së digave, Shqipëria duhej të kishte 1 miliardë e 106 milion Kw/orë. Energjia e munguar nga keq-shfrytëzimi i kaskadës së Drinit është 683 milion Kw/orë. Një mungesë energjie që do t’u kushtojë taksapaguesëve minimalisht mbi 80 milion euro.

Për të mbushur këtë mungesë nga prodhimi vendas, Ministria dhe agjencitë nën përgjegjësinë e Ministres Balluku do të duhet t’i adresohen blerjeve në bursë.

Por siç është bërë tanimë zakon, Shqipëria e shet lirë dhe e blen shtrenjtë energjinë e saj. Një praktikë abuzive, që shkel çdo protokoll e proçedurë të energjisë. Një praktikë e cila është në gjenezë të krizës që po troket, e që do të përdoret si justifikim për blerje qindra milionëshe. Mbase, edhe për të vendosur në punë sa për spektaktlin e rradhës dy Tec-et lundruese të Vlorës të cilët kushtojnë çdo ditë 94 mijë dollarë dhe që kanë përthithur pa u vënë asnjë ditë në punë mbi 46 milion dollarë.

Kjo është arsyeja e vërtetë përse pensionet në Shqipëri nuk rriten. Nën justifikimin e krizave te njëpasnjëshme, taksat e qytetarëve shkojnë për të financuar fushata shit-blerje votash, drejtorë sipërmarrës, e propaganda të gënjeshtërta. Një vjedhje e përditshme në gjëndjen e krizës së përhershme.

Kjo situatë duhet të marrë fund. Qeveria teknike është e vetmja rrugëdalje.

“”