Zëdhënësja për antikorrupsion në PD e Rithemelimit, Genta Vangjeli ka dalë sot në një deklaratë për mediat ku ka folur mbi rastet e censurës së realizuar me të dhënat të Thesarit Publik të Shtetit.

Ajo thekson se ndonëse kalojnë ditë të tëra pa publikime edhe kur publikohen fatura të caktuara janë të paaksesueshme siç është fatura e datës 15 Maj 2024.

“Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të informohen si shpenzohen paratë e tyre, ku shkojnë ato, a përdoren për interesa publik apo interesa politik, partiakë apo personalë”- thotë ajo.

Duke shtuar gjithashtu se “heqja e këtyre të dhënave me dashje apo mospublikimi i tyre në vijimësi, dëshmon një rast shpërdorimi detyre apo në rastin më negativ një fenomen që dëshmon se, për këtë periudhë qeverisëse shtetarët përkatës kanë vështirësi të përballen me publikun”.

DEKLARATA E ZËDHËNËSES PËR ANTIKORRUPSION, GENTA VANGJELI:

Në emër të parimeve të së Drejtës Publike për Informim, Partia Demokratike ndan shqetësimin mbi rastet e censurës të realizuar me të dhëna të Thesarit Publik të Shtetit.

Prej datës 19 Prill 2024 deri në datën 9 Maj 2024 në faqen zyrtare ku publikohen të dhënat elektronike mbi pagesat e kryera nga Thesari i Shtetit nuk u publikua asnjë faturë.

Ndodh shpesh që edhe pse kalojnë ditë të tëra pa publikime edhe kur publikohen fatura të caktuara janë të paaksesueshme siç është fatura datë 15 Maj 2024.

Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të informohen si shpenzohen paratë e tyre, ku shkojnë ato, a përdoren për interesa publik apo interesa politik, partiakë apo personalë.

Po kështu çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë ka të drejtë të informohet se cilët janë klientët (furnitorët të cilët nuk shfaqen gjithnjë me emër por vetëm me emrin e bankës ku kanë llogaritë e tyre) e institucioneve shtetërore e publike që përfitojnë nga paratë e taksapaguesve.

Gjithashtu në kuadër të angazhimeve në partneritetin për Qeverisje të Hapura dhe Transparente OGP, shteti ynë është angazhuar për të publikuar çdo ditë Listën e Pagesave Ditore të Thesarit dërguar për ekzekutim në Bankën e Shqipërisë. Kjo listë veç datës, shumës dhe autoritetit urdhërues përmban edhe identitetin e përfituesit, aktin ligjor ku bazohet transaksioni dhe përshkrime të tjera.

Heqja e këtyre të dhënave me dashje apo mospublikimi i tyre në vijimësi, dëshmon një rast shpërdorimi detyre apo në rastin më negativ një fenomen që dëshmon se, për këtë periudhë qeverisëse shtetarët përkatës kanë vështirësi të përballen me publikun.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re