Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka sulmuar gjatë ditës së sotme Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që sipas tij i ndalon zytarët e lartë politikë që të bëjën fushatë katër muaj përpara zgjedhjeve. Sipas Veliajt, KQZ nuk mund të shndërrohet në një tryezë analistësh, dhe se ligji për pushtetin vendot është i qartë dhe nuk mund të preket.

Veliaj tha se kryetari i Bashkisë nuk mund të ndalë punën 4 muaj përpara zgjedhjeve, ndërsa nuk mungoi as sulmi në drejtim të kundërshtarëve politikë, për të cilët tha se kanë fjetur gjumë teksa kanë qenë në krye të punëve të vendit.

“KQZ-ja s’mund të jetë tryezë analistësh, por duhet t’i bëjë të qarta rregullat. Fakti që dikush para nesh, kur ishte kryetar bashkie fjeti gjumë, nuk do të thotë që gjumi duhet të bëhet i detyrueshëm për të gjithë. Nëse dikush do të flejë, le të flejë! Por, nëse dikush do të punojë dhe i hanë duart për punë, le të punojë! Si mund t’i thuhet dikujt mos puno 4 muaj?!

Është detyrë e kryetarit të bashkisë të inspektojë punimet, të mbarojë procesin e rindërtimit. Është detyrë e kryetarit të bashkisë të bëjë shkolla, të mbjellë pemë! Nuk mund të thuhet se meqë njëri nuk di të luajë, të mos luajë askush tjetër. Është si ato lojërat e fëmijëve – kur njëri nuk di të luajë, i vjen e ëma dhe u thotë të tjerëve, lëreni ta prekë edhe ky topin.

Mirë, po e lëmë ta prekë topin, po e lëmë edhe portën bosh, por u bënë 4-5 palë zgjedhje që ky del huq dhe nuk bën gol. Se ky nuk di të bëjë gol as me portën bosh! Meqë ky s’di, të tjerët nuk do luajnë hiç? Pra, nuk do punojë asnjë, meqë ky do të flejë gjumë?Ka ardhur koha të bëhemi seriozë!”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës nënvizoi se KQZ-ja këtë duhet ta qartësojë njëherë e mirë këtë çështje. “Është shumë e rëndësishme që të kalojmë nga një KQZ që bën analistin, në një institucion serioz, që nuk bën analiza që kalojnë mbi ligjin. Ka ligj për pushtetin vendor. Ka ligj mënyra se si funksionojmë. Ka ligj që kërkon që t’i bëjmë këto punë,” tha ai.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re