Ministria e Mborjtjes thotë se efektivë të Forcave të Armatosura  të Shqipërisë, së bashku me mjetet e tyre i janë përgjigjur menjëherë thirrjes për ndihmë dhe janë angazhuar në operacionin për gjetjen e tre trupave, Alma Arrazit dhe dy fëmijëve të saj, të mbytur në lumin Buna, pranë fshatit Darragjat në Shkodër.

“Ekipet e efektivëve nga Batalioni i Forcave speciale dhe efektivëve nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile i bashkohen polumbarëve të Repartit RENEA, Njësisë së Sigurisë Publike Shkodër, policisë së Shkodrës, Drejtorisë së Kufirit e banorëve të zonës, të cilët vijojnë kërkimet që prej ditës së djeshme. Deri më tani është gjetur trupi i vajzës 9 vjeçe dhe po kërkohet pa ndërprerje për trupat e nënës dhe 2 fëmijëve të tjerë.

Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë sa herë është e nevojshme në ndihmë të qytetarëve dhe komunitetit”, thuhet ne njoftimin e  ministrise.

Ngjarja, e cila është një tragjedi e rëndë e ka zanafillën në dhunën familjare, pasi policia arrestoi bashkëshortin dhe babain e tre fëmijëve, Ergys Arrazi, i cili akuzohet se nxiti gruan dhe fëmijët drejt vëtëvrasjes.

Ndërkohë policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve në zonë për të parë lëvizjet e fundit të 39-vjeçares dhe fëmijëve të saj, para se të ndërmerrte aktin tragjik.

Pamjet po verifikohen për të verifikuar nëse Alma Arrazi ishte e vetme apo shoqërohej nga dikush.

Gjithashtu janë marrë në pyetje edhe familjarë të 39-vjeçares, të cilët kanë konfirmuar se ajo dhunohej sistematikisht nga i shoqi Ergys Arrazi.

31-vjeçari është arrestuar për shkaktim vetëvrasje, ndërsa dyshohet se kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore, si edhe i kishte kërkuar bashkëshortes të largohej nga banesa së bashku me fëmijët.

LEXO EDHE: Alma Arrazi u mbyt në lumin Bunë së bashku me 3 fëmijët e mitur, sekuestrohen kamerat e sigurisë për të zbuluar nëse shoqëroheshin nga dikush! Palombarët në kërkim të trupave

NGJARJA

Policia e Shkodrës ka Bërë me dije se dhuna në familje është bërë shkak që nëna me 3 fëmijët t’i japë fund jetës, pasi dyshohet se janë vetëmbytur në lumin Bunë pranë Darragjatit. Orëve të vona të  majit është gjetur trupi i vajzës 9-vjeçare, ndërsa e zhdukur rezulton edhe nëna Alma Arrazi bashkë me dy fëmijët e tjerë, një vajzë 8 vjeç dhe një djalë 3 vjeç.

Në pranga është vënë babai Ergys Arrazi, një ish-i dënuar për kultivim të bimëve narkotike. Motra e gruas me tre fëmijë ka thënë në polici se Alma Arrazi dhunohej barbarisht nga burri. Ka qenë vetë 31-vjeçari Ergys Arrazi, i cili ka denoncuar në polici më datë 3 maj se gruaja dhe 3 fëmijët janë larguar nga banesa, por pa dhënë detaje të tjera.

Në denoncimin e tij, Arrazi ka deklaruar se gruaja është larguar që prej datës 2 maj. Kërkimet kanë nisur menjëherë pas kallëzimit të bashkëshortit, ku mbrëmjen e djeshme, 4 maj, u gjet nga peshkatarët vajza 9-vjeçare. Sipas policisë, të miturës nuk i janë konstatuar shenja dhune.

“Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9- vjeçare të shtetasve Ergys Arrazi dhe Alma Arrazi, e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj”, njofton policia.

Kurse Alma Arrazi 39 vjeçe, me vajzën tjetër 8 vjeçe dhe djalin e vogël 3 vjeç nuk janë gjetur akoma. Palombarët e RENEAs po kërkojnë trupat e tyre nga Buna deri në Velipojë, në grykëderdhjen fundore, pasi dyshojnë se edhe ata mund të jenë vetëmbytur. Nga dëshmitë e para, mësohet se gruaja me të vegjlit, ditën që është zhdukur, kishte pirë kafe me kunatën, nusen e vëllait të Ergysit, por janë ndarë, pa ngritur asnjë dyshim për vendimin fatal. Dyshohet se ajo ka mbajtur fort fëmijët për dore, dhe është hedhur bashkë me ta nga Ura e Bunës. Kur ka mësuar për gjetjen e trupit të pajetë të së bijës, Ergys Arrazi ka qenë i ftohtë dhe pa asnjë reagim dhe ka mohuar dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve dhe gruas.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re