Çfarë përfaqëson “30 qershori” shqiptar në historinë politike të demokracisë? Si do intepretohet ai nesër, vite më pas, në katedrat e studimit të politikës dhe shkollave politike? Për çfarë do vlejë si precedent?

Qyshse opozita PD-LSI vendosi të djegë mandatet e dalë në rrugë, ndërkombëtarët u përballën me një çiban që u shfaq në sistem. E kjo në Ballkan, pra në Europë, nën klimën e rënduar të një kërcënimi që i vjen Perëndimit nga shumë faktorë.

Mbi të gjitha, nga projekti rus për sa më shumë destabilitet, sidomos në Ballkan. Dështoi me Malin e Zi e Maqedoninë, mbetet ende dhe Shqipëria.

Nuk mund të thuhet se Moska qëndronte pas dy partive politike, do ishte i tepërt ky aludim, por mund të mendohet se diku puqeshin interesat. Në kohë të tjera, qoftë dhe para 10 vitesh, nuk kishte gjasë që opozita PD-LSI të ndërmerrte një akt të tillë, që më shumë se betejë me PS-në, e ka patur atë me Perëndimin (siç). Dhe ishte ky Perëndim, më saktë SHBA me fjalën e fundit dhe finale, që e vulosën 30 qershorin.

Çfarë ndodhi? Mos vallë anuan nga pushteti padrejtësisht, siç dhe po gjykohet naivisht nga militanca e dy partive? Jo! Mbrojtën sistemin, atë të cilin dikush tentoi t’jua godiste. Pra sistemin, atë klasik me jetë normale parlamentare, pluralizëm, e në fund ndërrim pushtetesh me votë. Thënë ndryshe, mbrojtën gjuhën dhe praktikat institucionale, për t’i mbyllur rrugën politikës së rrugës me bojkote e djegie mandatesh.

Në thelb, vetëdalja jashtë sistemit, është një vetavrasje, është një marrëzi, është një nonsens, që nuk ka si të përfundojë më sens. Nëse nuk do kishte qenë kështu, do ishte një praktikë normale.

Fort mirë mund ta bënte këtë opozita VMRO-DPMNE në Maqedoninë Veriore, ku vërtet, paçka kusureve politike, dje në qeverisje e sot në opozitë, u ndesh me një lloj anshmërie ndërkombëtare, si në rastin e sjelljes në pushtet të Zaevit, të referendumit për emrin, apo të procesve të Prokurorisë Speciale ndaj saj. E megjithatë, as që e ka menduar apo artikuluar ndonjëherë vetëdaljen jashtë sistemit.

Ndaj, 30 qershori është një akt ndërkombëtar, sigurisht me lojtarë shqiptarë, për ta mbytur precedetin me precedent. Këtë nuk duan ta kuptojnë PD-LSI dhe ajo masë që u vjen nga pas. Ose e kuptojnë por nuk duan ta pranojnë.

Prej 16 shkurtit, ku djegia e mandateve u krye nën atmosferë triumfi, nisi një shah jo me Ramën përballë por me Perëndimin. 30 qershori me votime, për më tepër normale, ishte fundi i lojës dhe zënia në mat e dyshes Meta – Berisha që konsiderohen si ideatorët e kësaj lëvizjeje, e kësaj loje. Dhe, pasi dhe Perëndimi e lexon si luftë ndaj Reformës në Drejtësi nga ana e tyre, nevoja për t’i kapur mat u bë dhe më e fortë.

Por mbi të gjitha, e rëndësishme për ta ka qenë shuarja e çdo tentative për ta goditur sistemin që mban në këmbë demokracinë perëndimore. Kjo bën që edhe sikur Rama të donte të shtynte zgjedhjet, nuk do ia lejonin. Madje dhe sikur të donte të dorëhiqej.

PD-LSI dhe militancat përkatëse, por dhe zëra jashtëpartiakë me frymë anti-qeveritare, tentuan e po tentojnë gjatë gjithë këtyre ditëve që të ofrojnë një panoramë kompromentuese të 30 qershorit, duke evokuar në funksion të krahasimit zgjedhjet e dikurshme monopartiake nën komunizëm.

Në krye të këtij aksioni u vu dhe Ilir Meta. Por leximi është tejet semplist, e sigurisht dhe subjektiv. Eshtë e vërtetë se me 30 qershorin pluralizmi ka marrë një goditje, por thjesht është plagosur. Me anullimin e 30 qershorit e shtyerjen e zgjedhjeve, ai futej në kaos, për t’u vrarë dalëngadalë me të tjera rrugë, me të tjera forma.

Me 30 qershor nuk u vra, por u ruajt pluralizmi. Ajo çfarë ka ndodhur në një moment nuk është koha. Koha është vërtetuese e asaj çfarë ndodh në një moment, ku në vështrim të parë mund të jetë e mirë apo e keqe.

Dhe gjykuar me kohën para, e momentin lënë pas, e sigurt është që 30 qershori i jep fund trallisjes për të djegur mandate, bojkotuar zgjedhje, e imponimit me politikën e rrugës, duke zgjedhur të dalësh nga sistemi, të shkosh në mal, e prej atje të sulmosh me molotov duke dashur që të respektohet sistemi – zgjedhje edhe me mua – pasi ke zgjedhur të mos zgjidhesh(!!!). Mbaju mendje!

Dhe tani vijmë të pas-30 qershori. Ç’pritet të shohim? Me gjasë, pasi mbyti precedentin me precedent, Perëndimi do investohet në ringritjen e opozitës së vetëshuar, duke përzgjedhur të komunikojë e bashkëpunojë me atë që pjesë që ishte njëherësh sa lojtare e projektit Meta-Berisha, aq dhe viktimë e tyre. Ndërsa kësaj dysheje do t’i tregojë vendin. Paralajmërimet janë dhënë: Meta, si ende në pozitë institucionale, do përjashtohet si faktor nga çdo negociatë këtej e tutje.

Duke e lexuar pikërisht këtë, presidenti ka radikalizuar qëndrime për t’u imponuar si faktor. Por nga ç’ka ndodhur deri më tani, nuk do ketë rezultat. Në këtë krizë të fundit, sipërfaqësisht kemi parë një Perëndim të ftohtë, gati shpërfillës, por në fakt ka qenë tejet i angazhuar, në një lojë mjeshtërore, për të mos u zënë gafil nga një dyshe ballkanase dhe në Ballkan.

“Po kjo ishte loja…” – do thoshte i ndjeri Ndrek Luca. (Tesheshi)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re