Nga Abedin Kaja

Emri i tij i vërtet është Hajri, por askush nuk e ka njohur dhe nuk i thërret me këtë emër, ndaj të gjithë i thërrasin Malo. Origjina e tij është ndër më të hershmet në qytetin e Beratit. Që kur ka lindur dhe deri më sot i thërrasin Malo. Sa për emrin ai thotë se kur kishte lindur, nëna e tij kishte dashur që t’ia vinte emrin Malo, por kjo ishte kundërshtuar nga pjesëtarë të tjerë të familjes, të cilët kishin propozuar emrin Hajri.

“Ndaj për të kënaqur edhe nënën time kishin vendosur që të më regjistronin me emrin Hajri, por të më thërrisnin Malo”, – thotë protagonisti i intervistës sonë të veçantë. Malo Qalliu, personazhi i vërtet, për të cilin është ngritur parodia e famshme “Po martojmë Malon…” sot është 70 vjeç. Trupi i shkurtër, por kompakt dhe duart e fuqishme të tij e kanë bërë që të jetë në harmoni të plotë me timonin dhe profesionin e shoferit, zanat që ka më shumë se 40 vjet që nuk e ka tradhtuar.

Malua ka tri vajza të martuara që aktualisht jetojnë në Itali si dhe një djalë, me të cilin jeton aktualisht në lagjen “Kodra e Sulmit” në qytetin e Beratit. Pavarësisht se është futur në moshën e tretë, ai vazhdon të punojë si shofer autobusi në linjën Berat-Kuçovë. Madje ai është edhe administrator i shoqatës së autobusëve të linjës Berat-Kuçovë. Gjatë intervaleve të kohës për nisjen e udhëtimit Berat-Kuçovë dhe kthimin, ai qëndron te kafja e Fredit, në afërsi të stacionit të autobusëve, ku edhe zhvilluam një bisedë të këndshme…

 

Dasma juaj është konsideruar si më e madhja e kohës dhe nisur nga kjo, regjisori Pëllumb Kulla nxori parodinë e famshme, “Po martojmë Malon…”. Mund të na thoni diçka më tepër për vete dhe dasmën tuaj?

Jam martuar ditën e çlirimit të qytetit më 13 shtator të vitit 1981. Atëherë kam qenë 32 vjeç. Banoja aty ku jam edhe sot, në lagjen “Kodra e Sulmit” e cila ndodhet afër lagjes muzeale “Kala”, pra në kodër të qytetit. Kisha vendosur që të bëja dasmë të madhe. Përgatitjet kishin filluar më herët.

Ditën e hënë unë bisedova me përgjegjësin e stadiumit “Tomori” Vangjel Shkurti, dhe i mora altoparlantët me të cilët komentoheshin dhe transmetoheshin ndeshjet e futbollit, ndërsa mikrofonin e kam marrë në NSHN, në ndërmarrjen ku unë punoja si shofer.

 

Kishit vendosur që të bënit dasmë të madhe, po ku i pritët gjithë ata njerëz, në lokal?

Jo, dasmën e kemi bërë në shtëpinë tonë. Kishim bahçe dhe oborr të madh përpara shtëpisë dhe të gjitha pajisjet e fonisë i vendosëm aty në oborrin e shtëpisë. Nëpërmjet altoparlantëve, zëri i ahengut kishte shkuar në kupë të qiellit, aq sa dëgjohej edhe në qendër të qytetit.

 

Thatë se zëri dëgjohej deri në qendër të qytetit, si ishte reagimi i qytetarëve?

Të gjithë ata që më njihnin thoshin ‘i lumtë Malos, po bën dasmë të madhe, epo mirë bën se një herë martohet njeriu’. Por edhe aq lehtë nuk kaloi, kjo zhurmë dasme aq e madhe. Pati edhe disa peripeci të vogla, por edhe një ngjarje të madhe e solli.

 

Pse çfarë ndodhi?

Në ambientet e hotel-restorant “Tomori”, ishte duke pirë kafe sekretarja e parë e komitetit të partisë të rrethit, Mine Guri me disa shokë të tjerë të partisë dhe të pushtetit. Mineja, dëgjon ahengun dhe pyet kryetarin e këshillit të lagjes duke i thënë -‘Çfarë është kjo utërim (ulërimë) kaq e madhe, kush martohet?’.

– ‘Martohet Malo Qalliu’, – i thotë kryetari i këshillit të lagjes.

– ‘A nipi i Nexhmedin Qalliut që është anëtar partie? I thoni që të vijë e të më takojë mua’, – thotë sekretarja e parë, Mine Guri.

E njoftuan xhaxhain tim Nexhmedinin dhe shkon e takon, Mine Gurin.

-More Nexho, po çfarë është gjithë ai aheng andej nga lagjja juaj?

-Dasmë, martojmë nipin Malon, – i thotë Mines, xhaxhai im Nexhua.

-Mirë, mirë po i thoni që ta ulë pak zërin e altoparlantit se po shkulet i gjithë qyteti, – i tërheq vëmendjen Minia.

-Do t’i them, por dasmë është dhe Malua ka vendosur që të bëjë dasmë të madhe.

Pasi, mëson se punoja në NSHN, sekretarja e parë e KP-së, të rrethit thërret drejtorin e ndërmarrjes Vasil Koleka (djali i Spiro Kolekës) dhe i thotë se “ku i ka marrë pajisjet e zërit Malua që na ngriti të gjithë qytetin në këmbë?”

-Unë nuk di gjë, të pyes një herë përgjegjësin e ndërmarrjes, – i thotë sekretares së parë të KP-së, drejtori i ndërmarrjes Vasil Koleka.

 

…dhe më pas të morën mikrofonin?

Thirrën menjëherë përgjegjësin e ndërmarrjes, i cili u kishte thënë se më kishte dhënë vetëm mikrofonin.

-Thirre dhe merrja mikrofonin, – urdhëron drejtori, përgjegjësin e ndërmarrjes.

Unë isha shofer pararoj kështu quhej atëherë dhe përgjegjësi i sektorit të NSHN, më të cilin isha edhe shok më tha që të mos e sillja mikrofonin, por më parë të shkoja të flisja me sekretaren e parë të KP-së të rrethit, Mine Guri.

 

E takuat Mine Gurin dhe çfarë ju tha ajo?

Ashtu bëra, dola dhe shkova të flisja vet me Minen. Minen e gjeta në qendër të qytetit, pasi edhe aty bëheshin përgatitjet për dekorin me rastin e 13 shtatorit, ditës së çlirimit të qytetit të Beratit. Iu prezantova duke i thënë se jam Malo Qalliu. ‘Martohem ditën e diel më 13 shator dhe unë kam fatin e madh që martohem në këtë ditë.

Për mua është dy herë gëzim sepse martohem në ditën e çlirimit të qytetit. Është edhe kjo arsyeja pse unë kam vendosur që të bëjë dasmë të madhe, ndaj të lutem i thuaj përgjegjësit të sektorit që të mos ma marrë mikrofonin” – fillova t’i mbushë mendjen Mines.

-Mirë, – tha Mineja, por ulja pak zërin altoparlantit se nuk po merret vesh se çfarë po bëhet me gjithë atë zë.

 

Po me Pëllumb Kullën si u njohët?

Ato ditë kishte ardhur në Berat edhe estrada e Fierit, bashkë me regjisorin e kësaj estrade, Pëllumb Kulla i cili ka bashkëshorten (Xhuljeta Hoxha Kulla) nga lagja ime. Edhe atyre u kishte bërë përshtypje ahengu dhe ditën e mërkurë erdhën në shtëpinë time të gjithë aktorët e Fierit dhe regjisori, Pëllumb Kulla.

Mbaj mend që ishin pesë ose gjashtë vetë, por jo më shumë. Dasma vazhdonte! Ishim në gjendje të mirë ekonomike. Këngët dhe humori nuk ndaleshin, kishin arritur kulmin. Ishin shumë të ftuar, nuk e mbaj mend numrin e saktë të dasmorëve që vinin për aheng, por oborri dhe bahçja ishin të mbushura plot e përplot me njerëz…

 

Mes asaj varfërie, ku e kishit siguruar të gjithë atë kapital?

Ngaqë punoja shofer unë kisha shumë miq dhe shokë dhe i kisha siguruar të gjitha ushqimet e dasmës. Nuk më mungonte asgjë duke filluar që nga mishi, djathi, etj, ndërsa rakia derdhej lumë. Veç ditës së diel, gjatë javës, shtrova edhe dy darka të mëdha. Njërën me shokët e babait dhe tjetrën me shokët e mi të punës dhe qytetit që ka qenë dita e mërkurë, kur ishte edhe Pëllumb Kulla. Të gjithë kishin ardhur në qejf. Për miqtë nga Fieri kishim shtruar një tavolinë tjetër plot e përplot.

 

Çfarë ju tha Pëllumb Kulla?

Ata më uruan dhe u kënaqën. Pëllumbit dhe të gjithë aktorëve të estradës së Fierit u bëri përshtypje kjo dasmë, por unë nuk e dija se më pas Pëllumbi do të shkruante një parodi me ngjarje të vërtet dhe subjekt do ishte dasma ime, për më tepër që unë të isha personazh i saj. Nuk kaloi shumë kohë dhe estrada e Fierit doli me parodinë “Po martojmë Malon”.

 

Si u ndjetë ju dhe bashkëshortja kur patë këtë parodi, që merrte shkak nga dasma juaj?

Ishim të lumtur. Të gjithë na përshëndesnin, madje edha ata që nuk më kishin njohur më parë interesoheshin që të më njihnin. Më pyesnin se çfarë kishte ngjarë dhe unë u thosha se kisha bërë një dasmë ashtu si e mendoja, dasmë të madhe…!

 

Foto: 1- Regjizori Pellumb Kulla, 2- Malo Qalliu, 3- Parodistët e Fierit,  4- Mine Guri.

 

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re