Kreu i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjeve që po bëhen në burgun famëkeq të Spaçit, duke i cilësuar ato si një “masakër mbi vendet e kujtesës kombëtare”.
Në një intervistë për News 24, Ndregjoni u shpreh se Spaçi, i njohur si një ndër simbolet më të forta të qëndresës antikomuniste në Shqipëri, po shkatërrohet për interesa të ngushta dhe të përkohshme. “Ky vend i shenjtë nuk mund të shkelet, ky është Aushvici shqiptar,” deklaroi ai.
Sipas tij, ndërhyrjet që po kryhen aktualisht nuk respektojnë origjinalitetin historik të vendit, duke dëmtuar rëndë kujtesën e asaj që përfaqëson burgu i Spaçit. Ai denoncoi faktin se punimet janë duke u bërë për realizimin e një filmi, ndërsa suvatimi i ambienteve është tërësisht i papërshtatshëm dhe jashtë kontekstit historik.
Besim Ndregjoni, kreu i Shoqatës të të Përndjekurve: Po masakrohen vendet e kujtesës për përfitime. Këtë vend të shenjtë nuk mund ta shkelësh, këtë Aushvic shqiptar. Më 2007, Spaçi u shpall monument kulture i dorës së dytë që të ruhet. Ne duam që burgu të kthehet në muze. Ne duam që të respektohet qëndresa dhe rezistenca.
Riparimet po bëhen për një film. Suvatimi nuk duhej bërë, se ky savatim është sot në burgjet shqiptare e jo në kohën e burgut të Spaçit. Punimet duhet të bëhen me origjinalitetin e Spaçit. Burgu i Spaçit është vizituar nga turistë të huaj dhe nuk është vizituar nga politikanët tanë. Është tjetërsuar edhe burgu i Burrelit barbarisht. Të ndalen punimet dhe restaurimi të bëhet në bazë të rrëfimeve reale.