Mbrëmjen e djeshme, foto-reporteri Gent Shkullaku ka denoncuar sekuestrimin e aparatit të tij nga ana e policisë së shtetit gjatë momentit që po filmonte përplasjet me tifozët holandezë.

Ai tha se sekuestrimi i aparatit të tij i ishte bërë me justifikimin se po nxinte imazhin e Shqipërisë. Lidhur me këtë lajm, ka reaguar drejtori I përgjithshëm i policisë së Shtetit, Gledis Nano i cili ka kërkuar hetimin e rrethanave të kësaj ngjarje të ndodhur.

Reagim i Policisë së Shtetit

Lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmjen e kaluar, me fotoreporterin Genti Shkullaku, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka urdhëruar verifikimin e rrethanave të këtij incidenti.

Një grup i posaçëm nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike po kryen të gjitha veprimet dhe nëse do të rezultojë se ka patur tejkalim apo shkelje të procedurave standarde të punës nga punonjës policie, do të merren masat disiplinore përkatëse.

Gjatë takimit të zhvilluar mesditën e djeshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka dhënë porosi të veçantë drejtuesve të strukturave policore të angazhuara me shërbim në Tiranë, për mbarëvajtjen e aktivitetit, që gazetarëve dhe reporterëve, vendas e të huaj, t’u krijohen të gjitha lehtësirat, me qëllim që ata të përmbushin misionin e tyre.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të medias në veçanti, si dhe shpreh angazhimin për të përmbushur më së miri detyrimin për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në një event madhështor siç është finalja e sotme europiane e Conference League.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re