Ishin punëtorë dhe pas një dite të gjatë pune, kishin vendosur të darkonin në një restorant. Dy shqiptarë, dy shtetas italian e një maroken. Pas darkës, të rinjtë nisen drejt kamionçinës. Siç tregoi media italiane, në timon ishte 30 vjeçari Dorian Andoni. Punëtorët po niseshin drejt një banese (bnb) ku do të kalonin natën.

Rreth orës 21:15 pasi automjeti kalon një kthesë të gjatë majtas e pak para se të marrë kthesën e rradhës, papritur kamionçina rrëshket. Mbase gjasat janë se rrëshqitja ka ardhur si pasojë e lagështirës në rrugë dhe motit të ftohtë. 30 vjeçari humb kësisoj kontrollin e kamionçinës. Automjeti përplaset djathtas e majtas derisa del nga rruga, duke u përmbysur në anë.

Dy italianët dhe punëtori tjetër shqiptar arrijnë të thyejnë njërin xham dhe dalin pa thuajse asnjë plagë serioze nga kamionçina. “Ishin larguar aqsa dukej sikur ishin zhdukur, por autoritetet i identifikuan”-shpjegon media italiane.

Ndërkohë shtetasi maroken, 30 vjeçar, kishte ngecur në sedilje. Ishte ai që me celular njoftoi autoritetet dhe u shpjegoi se ishin përfshirë në aksident. Me të ardhur në vendin e ngjarjes, u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të prerë makinën e për të nxjerrë prej aty marokenin, i cili kishte thyer të dyja këmbët.

30 vjeçari shqiptar ndërkohë ishte ngjeshur në kabinë dhe autoriteteve iu desh thuajse dy orë punë për ta nxjerrë trupin e tij. Siç shpjegon media italiane, i riu ka ndërruar jetë në vend për shkak të impaktit të parë.

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pas autopsisë së kryer nga ekspertiza në spitalin e Cingoli, trupi i shqiptarit iu dorëzua familjarëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re