Mijëra demonstrues përballuan të ftohtin e acartë, për të marshuar të premten nëpër rrugët e Minneapolis duke kërkuar fundin e fushatës së presidentit Donald Trump kundër emigrantëve që jetojnë në qytetin e tyre. Në një ditë që filloi me temperaturën minus 29 gradë Celsius, organizatorët thanë se deri në 50.000 njerëz dolën në rrugë.
Dhjetëra biznese në të gjithë Minesotën u mbyllën dhe punëtorët morën pjesë në protesta dhe marshime në rrugë, të cilat pasuan javë të tëra përplasjesh ndonjëherë të dhunshme midis agjentëve të Migracionit dhe Doganave të SHBA-së, ICE, dhe protestuesve që kundërshtojnë rritjen e numrit të agjntëve.
Vetëm një ditë më parë, zëvendëspresidenti J.D.Vance vizitoi Minneapolis-in në një demonstrim mbështetjeje për oficerët e ICE-së dhe për t’u kërkuar udhëheqësve dhe aktivistëve lokalë të ulnin tensionet, duke thënë se ICE po kryente një mision të rëndësishëm për të ndaluar shkelësit e ligjit të migracionit.
Në një nga protestat më dramatike, policia lokale arrestoi dhjetëra klerikë që kënduan himne dhe iu lutën Zotit ndërsa u gjunjëzuan në një rrugë në Aeroportin Ndërkombëtar të Minneapolis-Saint Paul.
Organizatorët thanë se kërkesat e tyre përfshinin përgjegjësinë ligjore për agjentin e ICE-së që qëlloi për vdekje Renee Good, një shtetase amerikane, brenda makinën së saj në fillim të këtij muaji, ndërsa ajo monitoronte aktivitetet e ICE-së.
Pse Trump e ka kapur me Minesotën?
Ky shtet, i njohur për peizazhet e tij të qeta dhe dimrat e ashpër, është kthyer në një fushëbetejë ku përplasen dy vizione diametralisht të kundërta për Amerikën. Së pari, Minesota përfaqëson një “fortesë” të pathyer progresive në zemër të Mes-perëndimit konservator. Që nga viti 1976, ky shtet ka votuar vazhdimisht për kandidatët demokratë, duke u bërë një gjemb në këmbë për republikanët.
Së dyti, prania e komunitetit somalez shërben si një shënjestër e lehtë për retorikën populiste kundër migracionity Sulmet ndaj figurave si Ilhan Omar dhe përdorimi i skandaleve financiare me fondet e ushqimit për të damkosur një komunitet të tërë, janë mjete për të ushqyer bazën elektorale me narrativën e “rrezikut të huaj”. Fakti që shumica e këtyre banorëve janë qytetarë amerikanë, duket se ka pak rëndësi përballë nevojës së Trump për të krijuar një shembull të “pastrimit” të vendit.
Së treti, Minesota përfaqëson traumën e papërfunduar të vitit 2020. Pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd, Minneapolis u bë qendra globale e thirrjeve për reforma rrënjësore në polici. Ndaj duke dërguar mijëra agjentë federalë në këtë zonë, Trump po tenton të ribëjë historinë: aty ku dikur protestuesit kërkonin drejtësi sociale, sot administrata kërkon të vendosë “Rregull dhe Ligj” përmes forcës brutale.
Përmes këtij shteti, administrata Trump po tregon se asnjë traditë liberale apo komunitet i integruar, nuk është i imunizuar ndaj pushtetit federal. Minesota nuk po sulmohet sepse është e dobët, por sepse simbolika e saj si një model i diversitetit dhe mirëqenies sociale, po bie ndesh me vizionin e ri tejet nacionalist të Uashingtonit. /tesheshi.com/