Skip to content

Po skadon afati për qeverinë e re, edhe dy ditë kohë për Albin Kurtin

Albin Kurti Kuvend 720x480 1

Edhe dy ditë ka kohë Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, si i mandatuar për formimin e qeverisë për të paraqitur programin e përbërjen para Kuvendit.

Seanca për formimin e qeverisë do të mbahet të dielën, në ora 10:00.

Vendi ka mbetur me ekzekutiv në detyrë e pa kuvend funksional për gati një vit, duke rrezikuar edhe funksionalizimin e vetë shtetit. Për shkak të kufizimeve, qeveria në detyrë nuk ka nxjerrë akoma ligjin për buxhetin për vitin e ardhshëm. E nëse vendi nuk formon qeverinë brenda vitit atëherë shteti mund të funksionojë vetëm në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm me 1/12 e buxhetit.

Krahas kësaj, shumë institucione të pavarura, bordi i të cilave zgjedhjet përmes Kuvendit po rrezikojnë funksionalizimin si pasojë e kësaj bllokade.

Ndërkohë, Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka përfituar nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian e janë në rrezik edhe përfitimet e të tjera financiare nga marrëveshjet ndërkombëtare që shkojnë mbi një miliard euro

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka kohë që deri më 26 tetor të zgjedh të mandatuarin e saj, Albin Kurtin si kryeministër, për çka deri më tani nuk i ka 61 votat e nevojshme.

Në rast se dështon brenda këtij afati, një shumicë e dytë parlamentare ka dhjetë ditë kohë për të formuar qeverinë, nëse edhe kjo dështon, atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.