Në Pogradec, nën kujdesin e bashkisë dhe veçanërisht mjekut
Jovan Basho në një sallë të mbushur përplot, këtë të diel, u shfaq premiera e
filmit dokumentar “Sa kam shpirt, kam shpresë…”, me skenar dhe regji të Esat
Telitit, Mjeshtër i Madh, kushtuar mjekut dhe patriotit të shquar Dr.Jani
Basho. Filmi dokumentar përcolli pasuri informacionesh, mesazhesh dhe
emocionesh.

Duke parë filmin dokumentar çuditesh dhe tronditesh nga fakti se i diplomuari me rezultate të shkëlqyera në Uinversitetin e Vjenës dhe që meritoi titullin “Unicus Medicus Doctor”, njeriu që solli projektet nga Vjena dhe ideoi ndërtimin e Spitalit Civil Nr.1 dhe atij Ushtarak Nr.2 në vitet 1929-1932; intelektuali që luftoi me mish e me shpirt për të sjellë perëndimin në Shqipërinë gjysmë feudale, është persekutuar sa qe gjallë me mosmirënjohje dhe pas vdekjes, duke u lënë në harresë.

Kur përfundon filmi njeriu natyrshëm shpreh në vetvete dëshprimin dhe pakënaqësinë për qenien edhe të dr.Jani Bashos viktimë e traditës zyrtare apo qeveritare shqiptare “Vdis pa të të dua”.

Dokumentari u frymëzua nga libri “Sa kam shpirt kam shpresë” i dr. Jovan Bashos, i cili më ngacmoi dhe frymëzoi për të realizuar diçka rreth këtij mjeku, -sqaron regjizori Esat Telti. Duke gjykuar mbi atë çfarë tregonte libri, arrita në përfundimin se e gjithë kjo lëndë njerëzore dhe emocionale, shërbente për subjektin e një filmi dokumentar.

Një njeri që preku ekstremet e fatit të tij, suksesin dhe harrimin e madh, dramën midis ovacioneve te zhurmshme për arritjet dhe tragjizmin e heshtur të mënjanimit, -vijon mendimin regjisori Teliti.

Dr. Jani Basho u lind në Pogradec në vitin 1892. Mbaroi me rezultate të shkëlqyera gjimnazin grek dhe gjimnazin turk në Manastir. Është studenti shqiptar që fitoi vendin e parë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Vjenës në vitin 1914.

Një vit para se të mbaroje fakultetin më 28 nëntor 1920, studentët e Shoqërisë Studentore Shqiptare “Albania” të Vjenës e zgjedhin Kryetar të tyre dhe njëkohësisht kryeredaktor të revistës “Dialëria”, organ i kësaj shoqërie.

Shkrimet e tij në këtë revistë janë me një frymë të theksuar atdhetare dhe përcjellin mesazhe të forta lirie dhe drejtësie. Punon për 13 vjet deri në vitin 1927 si kryekirurg në spitalin e Vjenës, duke gëzuar respektin e kolegëve mjekë austriakë.

Në vitin 1927, vjen përfundimisht në Shqipëri. Emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë Shqiptare. Falë inisiativës dhe përpjekjeve të tij këmbëngulëse arrin të afirmohet si themelues i Shërbimit Mjekësor Ushtarak dhe me meritë të padiskutueshme emërohet drejtor i parë i Spitalit Ushtarak të Shqipërisë në vitet 1929 deri në 1935.

Më vonë, në vitet 1948 deri më 1956 dr. Jani Basho bëhet themelues i Shërbimit Shkencor të Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në vendin tonë. Atij i takon merita edhe si nismëtar për ngritjen e Institutit të Lartë Mjekësor në Tiranë dhe i Shkollës së Mamive në Tiranë.

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re