Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka finalizuar një tjetër operacion policor i koduar “Poker 2022″, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lojërave të fatit.

Si rezultat i kontrollit të  policisë për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit u vunë në pranga 2 shtetas si dhe u proceduan penalisht 10 shtetas të tjerë.

“Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e organizimit të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se dy të rinj ushtronin këtë aktivitet kriminal në qytetin e Beratit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Poker 2022”. Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasit:   E. Zh., 30 vjeç dhe M. M., 26 vjeç, të dy banues në Berat”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se, gjatë kontrollit të ushtruar në në lagjen “Uznovë”, në lokalin në pronësi të shtetasit E. Zh., u gjetën dhe u sekuestruan 415 gramë lëndë narkotike cannabis sativa, çipsa dhe një tavolinë pokeri që përdorej për organizimin e lojërave të fatit.

“Gjithashtu u proceduan penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, shtetasit K. D., 25 vjeç, A. Gj., 43 vjeç, A. H., 21 vjeç, N. M., 20 vjeç, T. P., 36 vjeç, G. K., 36 vjeç, A. M., 31 vjeç, F. K., 25 vjeç, P. L., 25 vjeç dhe R. M., 26 vjeç, klientë në lokalin e shtetasit E. Zh”, thuhet në njoftim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme procedurale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re