Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka përcjellë mesazhe konkrete nga “Poli i drejtësisë”, ku ka bërë një bilanc të reformës në drejtësi, e cila sot mbush tre vite nga ndryshimet kushtetuese të miratuara unanimisht më 22 Korrik 2016.

Teksa foli për drejtësinë e re që po lind pas çdo dite, Gjonaj u shpreh se “Lufta për ideimin, hartimin dhe miratimin e kësaj reforme ka qënë e vështirë, por beteje pas beteje, ja dolëm.  Ja dolëm për t’ju dhënë shqiptarëve një shprese të re, për të pasur drejtësinë që ata meritojnë, një drejtësi të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.  Ja dolëm për ti dhënë Shqipërisë me këtë reformë një mundësi më shumë për të qënë nesër me meritë, me dinjitet, plotësisht të barabartë në fushën e zbatimit të ligjit si anëtare e ardhshme e familjes evropiane. 

Në fjalën e saj, Gjonaj nënvizoi se ndaj reformës në drejtësi është ofruar mbështetje e vazhdueshme buxhetore për ta jetëzuar në mënyrën e duhur.

“Sot jam këtu jo si ish eksperte e grupit të hartimit të reformës, por në cilësinë e Ministres së Drejtësisë. Para jush ndihem mirë që Qeveria ku bëj pjesë dhe personalisht Kryeministri i vendit, Z.Rama, i kanë dhënë dje dhe vazhdojnë ti japin ende mbështetje aktive të pakushtëzuar, procesit të reformimit të drejtësisë shqiptare.

Pak ditë më parë, Këshilli i legjislacionit dhe Komisioni i ligjeve në  Kuvendin e Shqipërisë, ndërmorën të fundit detyrim në reflektim të vendimit të gjykatës Kushtetuese duke i dhënë KLGJ-së dhe KLP-së të gjitha instrumentat ligjor për të ushtruar funksionin e tyre, me një kuadër ligjor tashmë të plotësuar.

Në mënyrë të vazhdueshme mbështetja buxhetore për reformën në drejtësi ka qënë në mënyrë konstante e padiskutueshme në programet tona buxhetore. Kryeministri i vendit, Qeveria shqiptare ka alokuar një buxhet tej mundësive të saj, por e bindur që është gjëja e duhur në funksion të jetësimit të reformës në drejtësi, të vetdijshëm se kjo ka një vlerë të shumëfishtë sot dhe nesër për fatet e vendit; një investim jo vetëm për të sotshmen, por për të nesërmen e fëmijëve tanë”, siguroi Gjonaj.

Duke ju drejtuar anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor si dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ministrja e Drejtësisë i garantoi se ndaj tyre dhe organeve të reja që do ngrihen do të ketë mbështetje të vazhdueshme sipas kushtetutës dhe ligjit. 

“Ndjehem e vlerësuar që ndodhem në funksionin e ministres së drejtësisë, në këtë moment tepër të rëndësishëm dhe historik për fatin e vendit, për shpresat dhe për të ardhmen e tij.

Ju siguroj se si anëtarë e qeverisë në cilësinë e ministres së drejtësisë por njëkohësisht dhe si koordinatore kombëtare antikorrupsion e konsideroj prioritet bashkëpunimin me ju, në kufijtë e parashikuara nga kushtetuta dhe ligji.

Pres me padurim që luftës kundër korrupsionit t’i bashkohen edhe institucionet e reja, të Spak-ut dhe BKH-së, si institucionet kyç, që shpresoj fort, do të shënojnë kthesën e duhur në betejën kundër pandëshkueshmërisë ndaj fenomenit të korrupsionit ndër vite”, tha Gjonaj.

Ndërkohë, ajo nuk la pa falënderuar edhe patnerët ndërkombëtar që kontribuan në hartimin dhe implementimin e reformës. 

“Faleminderit juve, SHBA-ve dhe Bashkimit evropian për mbështetjen që na keni dhënë që në nisje të reformës në drejtësi, sot në jetësimin e saj dhe në vazhdim për formëzimin e të gjithë arkitekturës së sistemit të ri të drejtësisë”, u shpreh ministrja. 

Sa i përket inagurimit të mjediseve të reja të “Polit të Drejtësisë” ajo tha:

“Këto mjedise me mbështetjen e Qeverisë shqiptare për institucionet e reja të drejtësisë, shpresoj të jenë një mundësi më shumë, një arsye më shumë, në përmbushje të misionit tuaj, atë çfarë shqiptarët, vëndi dhe të gjithë ne, presim nga ju.

Ne e bëmë detyrën tonë. Kjo ndërtesë e bukur dhe tejet funksionale e pagëzuar me emrin kuptimplotë “Poli i drejtësisë” është në shërbimin tuaj”, përfundoi Gjonaj. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re