Policia Ushtarake Shqiptare është certifikuar si pjesë e taskforcës së përbashkët të Gatishmërisë së Lartë (VJTF) të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO).

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka njoftuar këtë të hënë se trupat e Forcës Ushtarake Shqiptare do të jenë pjesë e taskforcës që përbëhet nga rreth 30 mijë trupa aleate, të gatshëm për t’u dislokuar brenda 2-3 ditëve, kudo ku  NATO ka nevojë.

“Policia Ushtarake certifikohet si plotësisht operacionale për taskforcën e përbashkët të Gatishmërisë së Lartë (VJTF). Trupat tona do të jenë pjesë e taskforcës që përbëhet nga rreth 30 mijë trupa aleate, të gatshëm për t’u dislokuar brenda 2-3 ditëve, kudo ku NATO  ka nevojë”, deklaron Xhaçka.

Vendet anëtare të NATO-s komandën e kësaj taskforce (VJTF) e marrin përsipër çdo vit me rotacion dhe sipas planit. Në vitin 2020 komanda është në duart e Polonisë. Vendimi për krijimin e VJTF-së u mor në vitin 2014.

Taskforca VJTF u formua në kuadër të Forcës së Reagimit të NATO-s (NRF) me qëllim për të zhvilluar aftësitë e Aleancës kundër rreziqeve dhe kërcënimeve të mundshme që do të vinin nga Rusia, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

Parashikohet që VJTF-ja të mbështetet me 2 njësi shtesë ushtarake, të cilat do të ofrojnë mbështetje të shpejt në rastet e krizave të mëdha. Duhet që kjo njësi për 48 orë të jetë gati për mision në zonën e konfliktit. Është planifikuar që numri i ushtarëve të kësaj taskforce të rritet në 40 mijë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re