Skip to content

Poliçani – Qyteti që Dikur Kishte Gjithçka, Por Humbën Njerëzit

475927491 1210357777389421 6427461940927690087 n

Nëse kalon Beratin e bukur, një qytet që ka pësuar një transformim të dukshëm në infrastrukturë, do të ndjesh se po udhëton drejt një qyteti të ndritur dhe të gjallë.

Por sapo kalon rrethrrotullimin në Uznovë, panorama ndryshon krejtësisht. Një rrugë e amortizuar, që të jep ndjesinë se makina mund të dëmtohet çdo çast, shfaqet përpara. Diku, kjo rrugë ishte mbushur me makina dhe radhët kilometrike ishin një pamje e zakonshme. Sot, asnjë makinë, asnjë njeri, edhe pse ora është 12:30 e drekës.

Mbërritja në Poliçan është e shpejtë, por qyteti nuk është më ai që ishte dikur. Poliçani, një qytet i dikurshëm i uzinës, tani është bosh. Diku ku dikur grumbulloheshin njerëz që prisnin autobusin, tani ka vetëm heshtje. Atmosfera të kujton një film western – një qytet i braktisur, pa asnjë banor dhe pa gjurmë jete. Eci mes pallateve që dikur ishin të mbushura me njerëz, por sot, janë kthyer në streha për merimangat.

Rastësisht, takoj një biznesmen të zonës, një burrë rreth të gjashtëdhjetave, i cili na përshëndet me një buzëqeshje të sinqertë. Ai thotë me trishtim:
“Eh mor djalë, as që e kisha menduar se do të ndodhte kjo me Poliçanin tonë. U zbras kështu, papritur, sikur i përpiu toka njerëzit.”

Ai vetë ka krijuar një jetë të qëndrueshme – ka një familje të shëndetshme dhe fëmijët tani jetojnë jashtë Poliçanit. Por për të, ky qytet kishte gjithçka: afër Tiranës, pranë Beratit, shtëpi të lira dhe natyrë të bukur.

Përse ka ndodhur ky ndryshim dramatik?
Pse rinia e Poliçanit ka zgjedhur të largohet?
Pse tani qyteti është në këtë gjendje?

Dikur një qytet plot jetë dhe mundësi, Poliçani tani është një qytet i shndërruar në shenja të së kaluarës…

Shkruar nga një emigrant