Këtë të martë një ngjarje e rëndë ndodhi në zonën e Kune-Vainit në Lezhë, atje ku një oficer i anti-drogës u qëllua me armë zjarrë nga një 21 vjeçar.

Oficeri i policisë, Saimir Hoxha, ishte së bashku me disa agjentë të tjerë teksa patrullonin zonën, pasi kishin informacion se në zonë po kultivohej drogë. Ata kanë ndaluar një automjet me targa të dyshimta. Në makinë ka qenë 21 vjeçari Aldi Rama. Oficeri Hoxha i është afruar makinës dhe dhe ende pa mbërritur atje, ai është qëlluar nga 21 vjeçari disa herë.  Saimir Hoxha ka marrë një plumb. Oficeri është dërguar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t’i mbijetojë dot plagës. Plumbi i marrë pranë zemrës, i ka shuar jetën oficerit të policisë.

Ndërkohë 21 vjeçari pasi ka qëlluar, është larguar menjëherë me makinë. Automjetin e ka braktisur pranë një biznesi në zonën e Lagunës e më tutje është arratisur.

Policia përcolli imazhin e të riut, duke bërë apel se kushdo që ka informacion, të njoftojë autoritetet kundrejt një shpërblimi.

Saimir Hoxha, i cili humbi jetën në krye të detyrës, ishte baba i dy fëmijëve dhe prej vitesh punonte në Lezhë e Shëngjin.

Autoritetet, forcat speciale e Renea, janë vënë në kërkim të 21 vjeçarit Aldi Rama, i cili rezulton të ketë qenë i dënuar më parë për kultivim droge e armëmbajtje pa leje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re