Skip to content

Policia apelon për kujdes në rrugë/Reshjet e dendura vështirësojnë qarkullimin


Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vështirësi të konsiderueshme në qarkullimin e mjeteve në disa zona të vendit. Situata më problematike paraqitet në rrugën interurbane Tiranë–Durrës, në zonën pranë karburantit në hyrje të qytetit të Durrësit, ku prania e lartë e ujit në të dyja anët e lëvizjes e bën të pamundur qarkullimin normal të automjeteve.

Për të shmangur trafikun e rënduar dhe rrezikun e aksidenteve, Policia Rrugore ka njoftuar devijimin e përkohshëm të lëvizjes. Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës do të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe më pas nga aksi “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”. Ndërkohë, për në Durrës, kalimi do të realizohet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe më tej në rrugën “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.

Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të automjeteve, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë Rrugore.