Policia e Shtetit ka bërë bilancin e punës së saj për 6 muajt e parë të vitit 2022.

Policia e Shtetit thekson se, gjatë kësaj periudhe janë kryer qindra operacione policore dhe megaoperacione, të zhvilluara; qindra kilogramë kanabis, kokainë dhe heroinë, armë, mallra kontrabandë dhe sende të tjera, të sekuestruara; dhjetëra ambiente të shkatërruara, të përshtatura për kultivim të kanabisit dhe për gjenerim të kundërligjshëm të kriptomonedhave.

 

Policia shton se dhjetëra ngjarje kriminale janë parandaluar, falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe reagimit profesional të strukturave të Policisë.

 

Gjithashtu një super sfidë e fituar me dinjitet dhe profesionalizëm, nga Policia e Shtetit, në interes të imazhit të vendit, ka qenë mbarëvajtja e finales së UEFA Conference League.

 

Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 12 463 shtetas, nga këta: 3725 janë arrestuar, 8037 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 701 janë shpallur në kërkim.

 

Janë kapur në total 1101 shtetas në kërkim, nga të cilët: 895 në kërkim kombëtar dhe 206 në kërkim ndërkombëtar.

 

Si rezultat i punës parandaluese, goditjes së grupeve kriminale dhe të vrasësve me pagesë, Policia bën të ditur se në 6-mujorin e parë të vitit 2022 kanë ndodhur 13 vrasje më pak. (Gjatë vitit 2021 – 35 vrasje; Gjatë vitit 2022 – 22 vrasje).

 

Janë zhvilluar në total 599 operacione policore, përmes të cilëve janë goditur raste të kriminalitetit, me objekt jetën, pasurinë, qarkullimin e lirë dhe të ligjshëm të mallrave dhe shtetasve, si dhe mjedisin.

 

Në harkun kohor 6-mujor, janar-qershor 2022, janë zhvilluar 10 megaoperacione policore:

 

“Astrolabio”- megaoperacion i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe greke, EUROJUST-in dhe EUROPOL-in; 19 shtetas të arrestuar, për veprimtari kriminale në fushën e kontrabandimit të personave nga Lindja e Mesme, drejt BE-së;

 

“Five” – u goditën dhe u shkatërruan 5 grupe kriminale, të cilët, të sinkronizuar me njëri-tjetrin, zhvillonin veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve;

 

“Skema” – 15 shtetas të arrestuar, 35 shtetas të proceduar penalisht dhe 23 të tjerë të shpallur në kërkim, për veprimtari kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik;

 

“Arratia” – u bë e mundur kapja dhe arrestimi i një të shumëkërkuari;

 

“Golden bullet”- megaoperacion për goditjen e grupeve kriminale që vepronin në fushën e krimeve të rënda ndaj personit; u ekzekutuan 18 masa sigurimi, si dhe u shpallën në kërkim 14 shtetas;

 

“Black Cargo” – megaoperacion në PKK Port Durrës; 59 kg kokainë të sekuestruara;

 

”Syri i Sheganit” – u zbardh grabitja me armë e një filiali banke, në Koplik, Malësi të Madhe, si dhe u zbulua një banesë e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave; u vunë në pranga 9 shtetas, u sekuestruan 31 kg kanabis dhe 1 armë zjarri;

 

“Illegal assets” – megaoperacion për sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, si rezultat i të cilit u sekuestruan pasuri të ndryshme, me vlerë rreth 5 milionë euro;

 

“Silent” – u zbulua një bazë ku prodhoheshin silenciatorë dhe modifikoheshin armët e zjarrit;

 

“Tranziti”- u sekuestruan 45.5 kg kokainë në një kontenier, në Portin e Durrësit dhe u vunë në pranga 2 shtetas.

 

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe intensiv me partnerët evropianë dhe më gjerë, janë zhvilluar në total 13 operacione ndërkombëtare, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, goditjen e grupeve kriminale në fushën e narkotikëve, krimeve kundër personit dhe pronës.

 

Përgjatë 6-mujorit të parë të vitit 2022 janë finalizuar me sukses 13 operacione policore, për zbulimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet subjekteve call center.

 

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar dhe goditur 937 raste, ndërsa në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar dhe goditur 681 raste.

 

Janë evidentuar dhe shkatërruar 25 ambiente, të hapura dhe të mbyllura, të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, si dhe janë sekuestruar qindra pajisje elektrike që i shërbenin zhvillimit të kësaj veprimtarie kriminale.

 

Gjithashtu, janë evidentuar dhe shkatërruar 6 ambiente, të përshtatura për gjenerimin e kundërligjshëm të kriptomonedhave virtuale, 1 ambient i përshtatur për falsifikimin e dokumenteve dhe 1 ambient që shërbente për kryerjen e testeve false të Covid-it.

 

Janë sekuestruar 1090,5 kilogramë kanabis, qindra kilogramë kokainë dhe heroinë, sasi drogash të llojeve dhe trajtave të ndryshme, fara, fidanë dhe bimë narkotike, mallra të ndryshëm të kontrabanduar, dhjetëra peshore elektronike që i shërbenin veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, mijëra aparate celulare të përdorur për kryerjen e aktiviteteve të ndryshme të kundërligjshme ose të papajisur me faturë tatimore;

 

Gjithashtu, shërbimet e Policisë, gjatë operacioneve dhe goditjeve në çdo skaj të vendit, kanë sekuestruar qindra automjete, dokumente të ndryshme të falsifikuara, pajisje të ndryshme elektronike dhe elektrike, radio marrëse-dhënëse si të Policisë, sende të vjedhura, pajisje që i shërbenin organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, sende të luajtshme të pasurisë kulturore, si dhe shuma parash dhe asete që e kanë burimin nga aktivitete të ndryshme kriminale.

 

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar dhe goditur 298 raste, 2 prej tyre, raste të evidentimit dhe shkatërrimit të ambienteve për mbajtjen e arsenalëve të armëve, si dhe janë sekuestruar 171 armë zjarri, 13 armë sportive, 33 armë gjahu, 108 armë të ftohta, pjesë të ndryshme armësh, sasi lënde eksplozive dhe municion luftarak.

 

Janë goditur 305 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë, si dhe janë ndjekur ligjërisht 983 raste të dhunës në familje.

 

Janë evidentuar dhe goditur 839 raste të krimeve mjedisore, 181 raste të organizimit të lojërave të fatit dhe 188 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

 

Gjithashtu, janë evidentuar 136 raste të veprës penale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror, me 143 shtetas të vënë në pranga, për këtë veprimtari të kundërligjshme.

 

Janë evidentuar dhe goditur 43 raste të veprimtarisë kriminale me objekt zjarrvënien e qëllimshme, si dhe ka vijuar puna intensive, në bashkëpunim me strukturat mbështetëse, për parandalimin e rritjes së sipërfaqeve territoriale, pronave dhe pasurive, të rrezikuara nga djegia.

 

Policia Rrugore gjithashtu ka kryer monitorim të pandërprerë dhe intensiv në të gjitha akset rrugore, duke përdorur flotën e re të automjeteve të pajisura me teknologjinë bashkëkohore, dhjetëra makina inteligjente, “Poliscan”-in, dronin “edukues”, lexuesin automatik të targave, radarët automatikë të vendosur në flotën e automjeteve të reja, kamerat dhe mjetet e tjera të pauniformuara, që ka tashmë në dispozicion Policia Rrugore në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.

 

Përgjatë 6-mujorit të parë të vitit 2021 humbën jetën, si pasojë e aksidenteve rrugore, 105 shtetas, ndërsa, si rezultat i masave të ndërmarra dhe monitorimit të çdo aksi rrugor në vend, me makinat inteligjente, përgjatë 6-mujorit të parë të vitit 2022 kanë humbur jetën 89 shtetas, 16 më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

 

Gjatë 6 muajve të parë të vitit 2022, janë pezulluar 8014 leje drejtimi, nga të cilat: 4336 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 1846 për drejtim mjeti, në gjendje të dehur dhe 1832 për shkelje të tjera në fushën e qarkullimit rrugor.

 

Janë arrestuar 1452 drejtues mjetesh dhe janë proceduar në gjendje të lirë, mijëra të tjerë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.

 

Janë vënë në pranga nga Policia Rrugore, 32 shtetas që drejtonin automjetet, nën efektin e lëndëve narkotike, si rezultat i risisë në përdorimin e pajisjes drogë-testuese “AquilaScan”.

 

Janë goditur 101 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë.

 

Janë vendosur 336 082 masa administrative, për drejtuesit e mjeteve që kanë kryer shkelje që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore.

 

Policia Kufitare/Falë masave të shtuara është përballuar me sukses fluksi në pikat e kalimit kufitar, në kuadër të festave zyrtare, aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare të zhvilluara, si dhe të sezonit turistik. Gjithashtu janë shtuar kontrollet me pajisjet e logjistikës bashkëkohore europiane, për mjetet lundruese dhe argëtuese që përdoren gjatë sezonit turistik. Kontrolle të shtuara edhe në kufirin e gjelbër dhe në atë blu, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike dhe krimeve të tjera ndërkufitare.

 

Gjatë kësaj periudhe, janë kapur 212 shtetas në kërkim, nga të cilët 137 në kërkim kombëtar dhe 75 në kërkim ndërkombëtar.

 

Gjithashtu, janë evidentuar dhe goditur 170 raste të veprave penale me objekt kalimin e paligjshëm të kufirit shtetëror, 108 raste të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, 16 raste në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe 10 raste të veprimtarisë kriminale të mosdeklarimit të të hollave në kufi.

 

Policia e Shtetit thekson se është e angazhuar dhe e vendosur maksimalisht, për të luftuar çdo fenomen kriminal, për t’u gjendur pranë qytetarëve, me etikë dhe profesionalitet, për çdo problematikë që bën pjesë në detyrat funksionale të Policisë, si dhe për të garantuar rendin, sigurinë e përgjithshme dhe sigurinë rrugore, në të gjithë vendin.

 

Policia e Shtetit garanton qytetarët se është në shërbim të tyre dhe në zbatim të ligjit, i falënderon për aleancën dhe besimin e ofruar për Policinë e Shtetit, gjatë 6 muajve të parë të vitit 2022, si dhe i fton sërish ata për të denoncuar në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë, të evidentuar prej tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re