Me qëllim parandalimin e përhapjes së koroavirusit, tashmë prej ditësh është i ndaluar dhe qarkullimi i mjeteve private si dhe transporti publik. Megjithatë, policia sqaron rrugën që duhet ndjekur për të marrë një leje për të lëvizur me mjet. Secili prej qytetarëve duhet të marrë një autorizim nga një aplikacion i posaçëm i policisë dhe pasi të marrë konfirmimin duhet të levizë.

Njoftimi i plotë

Për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve në lidhje me
zgjidhjen e kërkesave të domosdoshme dhe për nevoja urgjente shëndetësore dhe
të biznesit, për qarkullim me mjetet e tyre, sqarojmë se:

Policia e Shtetit, në faqen zyrtare të saj (ëëë.asp.gov.al),
ka publikuar një aplikacion të ri me emërtimin “Covid-19″ – Lëvizja e
kontrolluar me mjet!”

Të gjitha vetëdeklarimet, kërkesat për autorizime personale
apo autorizime biznesi do të kryhen nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit,
nëpërmjet këtij aplikacioni.

Për pajisjen me autorizim të ri, qytetarët duhet të plotësojnë njërin nga “deklarimet” e vëna në dispozicion: Vetëdeklarim, Autorizim Personal ose Autorizim Biznesi, duke klikuar në linkun e mëposhtëm: http://autorizime.asp.gov.al.

Gjatë aplikimit është e rëndësishme vendosja e saktë e të
dhënave që i kërkohen aplikuesit, motivi i qarkullimit dhe itineraret e
kërkuara.

Në përfundim të aplikimit shfaqet një numër aplikimi, i cili
i jep mundësinë qytetarëve të ndjekin fazat e konfirmimit të kërkesës së tyre
online, duke rritur kështu në maksimum transparencën e komunikimit të Policisë
me qytetarët.

Policia e Shtetit ka marrë masa për të përballuar shqyrtimin e të gjitha kërkesave të qytetarëve dhe bën me dije se çdo aplikim që plotëson kriteret sipas kërkesave të formularëve dhe miratohet nga ana e Policisë Rrugore do të jetë e verifikueshme nga patrullat e Policisë gjatë kontrolleve të ndryshme, në të gjithë territorin e vendit.

Sqarojmë se të gjitha autorizimet e lëshuara më parë nga
Policia dhe ato të konfirmuara nëpërmjet email-it nga ana e Policisë janë të
vlefshme dhe nuk është e nevojshme të aplikohet përsëri.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe apelon edhe njëherë për të gjithë ata që përpiqen të abuzojnë apo t’i shmangen zbatimit të këtyre masave se në terren, veç punonjësve të Policisë me uniformë, janë dhe qindra agjentë civilë, për të bërë të mundur evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të masave kufizuese.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re