Dy persona janë arrestuar nga policia e Durrësit, pasi në aksin Nikël-Tapizë, gjatë kontrollit në mjetin e tyre është gjetur një sasi prej më shumë se 40 kilogramësh drogë, e llojit kanabis. Të dy personat e arrestuar janë me banim në zonën e Niklës.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Nikla”. Sekuestrohen 41 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa.Arrestohen në flagrancë 2 shtetasit që transportonin lëndën narkotike, me qëllim shitjen e saj.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për shitjen e një sasie lënde narkotike nga 2 shtetas, specialistët  e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kriminale të Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antidrogë të koduar  “Nikla”,  në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:  M.B., 40 vjeç dhe G.T., 40 vjeç, të dy banues në Nikël.

Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e marra gjatë operacionit policor, në aksin rrugor Nikël-Tapizë, bënë lokalizimin dhe bllokimin e automjetit me të cilin dyshohej se transportohej lëndë narkotike.

Nga kontrolli fizik i personave të arrrestuar dhe i mjetit tip ”Volksëagen”në të cilin ata udhëtonin, u gjetën 4 thasë plastikë me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, me peshë 41 kilogramë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, automjeti dhe 2 aparate celulare.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re