Skip to content

“Policia do të monitorojë abuzuesit në banesat e tyre”, Eriona Bixha flet mbi projektligjin e ri: Regjistri për krimet seksuale do ketë një zyrë të veçantë, nuk do të preken…

Sekretare Organizative e LSI-së Eriona Bixha në një intervistë për “Të pathënat” në Fax News foli mbi projektligjin e ri që ka të bëjë me një Regjistër për të gjithë abuzuesit seksualë ku tha se do të ndihmojë në parandalimin e rasteve.

Bixha theksoi se kjo nismë e marrë nga deputetja e LSI-së së bashku me organizata të tjera të cilat e kanë diskutuar prej vitesh këtë projektligj, nuk cenon në asnjë moment asnjë të dhënë personale të një individi.

Ajo shpjegoi ndër të tjera se Regjistri për krimet seksuale do të vendoset në një zyrë të vecantë dhe akses në databazë do të kenë vetëm organet kompetente, duke përmendur kështu dhe Policinë e cila do t’i monitorojë në banesat e tyre personat që kanë kryer abuzime.

Bixha u shpreh optimiste sa i takon miratimit të projektligjit, duke thënë se zonjat deputete duhet të jenë të parat që e mbështesin pasi në këto tema të ndjeshme nuk mund të ketë ndarje partiake.

Bixha:
Do të vendoset një zyrë e vecantë enkas për këtë projektligj të ri për të parandaluar sa më shumë këto raste. Ajo që dua të theksoj se në asnjë moment në këtë projektligj nuk cenohet e drejta e individit, pra mbrojtja e të dhënave personale është thelbësore.

Nuk preket konfidencialiteti i askujt, akses në këtë database do të kenë komisariatet që do të monitorojnë këta persona në banesat e tyre, prokuroria dhe organe të tjera zyrtare.

Ajo që mua më gëzon është që e gjithë shoqeria të reagojë dhe të marrë masa, ne jemi të hapur që projektligjit që kemi dorëzuar t’i bëhen të gjitha amendamentet e ndryshme në këtë sferë.

Si do bindet mazhoranca për këto ndryshime?

Sidomos për zonjat deputete ky projektligj nuk duhet të vonohet as një ditë, duke qenë se jemi në muajin e fjongos blu pra për të drejtat e fëmijëve dhe përtej kësaj populli nuk meriton ndarje për këto tema kaq sensibël.

(E.D/faxweb.al)

/faxweb