Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka vendosur disa pika kontrolli për vetura në rrugën Mitrovicë Veriore – Leposaviq.

“Në rrugën kryesore Mitrovicë Veri – Leposaviq, policia ka vendosur pika kontrolli për automjete për të garantuar lëvizjen dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë pa dallim, si dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale dhe kontrabandës në përgjithësi”, thuhet në deklaratën e Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës është e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe garantimit të sigurisë së përgjithshme në mbarë vendin dhe në varësi të nevojave ndërmerr veprimet e nevojshme në terren për garantimin e ligjshmërisë”, thuhet më tej.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës

Lëvizja e policisë vjen në mes të tensioneve të vazhdueshme midis Serbisë dhe Kosovës që u përshkallëzuan më 10 dhjetor, kur serbët në veri ngritën barrikada me kamionë dhe makineri të rënda dhe dy kalime u mbyllën.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqen të frenojnë retorikën përmes diplomacisë së intensifikuar dhe të sjellin negociatorët nga Beogradi dhe Prishtina në tryezë në kërkim të një zgjidhjeje të përhershme mes dy palëve.

Autoritetet nga Kosova e shohin njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pala serbe si një zgjidhje të përhershme dhe një dritë jeshile për anëtarësimin në OKB dhe organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbia pret një “zgjidhje kompromisi” që do të ruante zyrtarisht dhe ligjërisht integritetin e saj territorial, dhe në thelb pushteti në veri të Kosovës, të cilin Prishtina nuk e pranon.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re