Skip to content

Policia e Kukësit parandalon një ngjarje të mundshme kriminale/ Arrestohet 45-vjeçari, ja çfarë i gjetën në banesë

Një 45-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë së Kukësit pasi në banesë iu sekuestruan 2 pushkë, një sasi municioni luftarak, një kapsollë detonatore dhe një shkop bejzbolli.

Policia kishte informacion se 45-vjeçari kishte konflikt me bashkëshorten dhe e arrestoi duke bërë të mundur edhe përshkallëzimin e kësaj situate.

Njoftimi:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Lusen”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kukës.
Sekuestrohen 2 armë zjarri pushkë, një sasi municioni luftarak, një kapsollë detonatore dhe një shkop bejzbolli.

Vihet në pranga poseduesi i tyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në zbatim të planit të masave për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas që mbante armë zjarri pa leje në banesë, kishte konflikt me ish-bashkëshorten, me qëllim parandalimin e ngjarjes kriminale, organizuan punën dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lusen”.

Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi A. P., 45 vjeç, banues në Lusen.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi 2 armë zjarri pushkë, një sasi municioni luftarak, një kapsollë detonatore dhe një shkop bejzbolli.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”

/faxweb