Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mohoi të jetë zbardhur vrasja e Briken Sanajt në datë 30 tetor tek zona e “Kodrës së Diellit” në Tiranë.

 

Uniformat blu sqarojnë se ndryshe nga sa është publikuat në media, ende nuk janë identifikuar autorët por Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht punën hetimore dhe policore, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin e kapjen e autorit/ëve.

 

Mirëpo edhe pse policia e Tiranës përmes një njoftimi u shpreh se ende nuk është zbardhur vrasja te Kodra e Diellit, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për Vizion Plus se në gjurmët e autorit të dyshuar të vrasjes përfunduan falë provave të gjetura në makinën Benz të përdorur nga autorët e krimit të cilën e dogjën më pas në Qafë-Kashar.

 

Të njëjtat burime shprehen se mjetit iu verifikua numri i shasisë ku rezultoi se pikërisht ajo makinë ishte blerë në Kosovë.

 

Pasi janë zbuluar pronarët e mëparshëm të mjetit në Kosovë, ata janë marrë në pyetje ku kanë konfirmuar se mjeti ishte blerë nga Agustin Kola.

 

Sipas TIMS ky i fundit rezulton se ai ka dalë jashtë territorit shqiptar 3 ditë pas vrasjes së Briken Sanajt.

 

Sipas burimeve shkak është bërë sherri i 10 viteve më parë në Shëngjin të Lezhës mes vëllait të Briken Sanajt dhe Gentian Kola, i cili është vëllai i Agustin Kolës që dyshohet se është i implikuar në këtë ngjarje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re