Pas lajmit të publikuar për ndalimin e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Policia shqiptare që rezultonte në kërkim nga Inteprol me kërkesë të Serbisë, Murtez Kastrati, Euronews Albania u interesua në Polici, por kjo e fundit e mohoi një gjë të tillë.

Burime nga Policia shqiptare i thanë gazetarit Xhevahir Zhabina se informacioni i publikuar për z. Kastrati nuk është i vërtetë.

Me pas dhe zëdhënësi i policisë së Shtetit, Gent Mullai i kontaktuar nga media thotë se lajmi nuk është i vërtetë, duke mohuar kështu pretendimet shoqatës së veteranëve të Kosovës, sipas të cilave, Veterani i UÇK-së Murtez Kastrati nga Lipjani ishte ndaluar në Shqipëri.

Lajmi fillimisht u bë i ditur nga kreu i Organizatë së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili shkroi në “Facebook” se burime i kanë konfirmuar se Serbia këto ditë ka bërë një listë të re të ish-luftëtarëve të UÇK-së, ku dhe kërkon arrestimin e tyre.

“Veterani i UÇK-së Murtez Kastrati nga Lipjani sot është ndaluar nga policia e Shqipërisë pasi që shteti Serb ka dërguar emrin e tij dhe shume ish pjesëtarëve të UÇK-së në Interpol, nga burimet që kemi marrë Serbia këto ditë ka bërë një listë të re me emra të ish pjesëtarëve të UÇK-së, ju bëjmë apel bashkëluftëtareve që këto ditë mos të lëvizin dhe të mos dalin në shtetet tjera.”, shkruan ai.

Kreu i Veteranëve, Hysni Gucati shton se Kosova duhet të marrë masa të menjëhershme për të ndaluar raste të tilla, të cilat vënë nën trysni të padrejtë emrat e ish-luftëtarëve që dhanë jetën për liri dhe pavarësi.

“Shteti i Shqipërisë duhet sa me parë ta lirojë Murtez Kastratin dhe të mos i marrë parasysh asnjëherë veprimet dhe listat e dërguar në Interpol nga Serbia, deri sa do të vazhdojnë kështu duke u maltretuar në këtë formë njerëzit që dhanë çdo gjë që ne sot ta kemi shtetin, veteranët ende nuk janë në gjendje të lëvizin të lirë, Qeveria e Kosovës sa me parë duhet të marrë masa në këtë drejtim dhe të mos kemi më raste të tilla!”,  shton ai.

Shtetit i Kosovës nuk është ende pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (Interpol). Përpjekjet e saj për anëtarësim në Interpol kanë nisur dy vite pas shpalljes së pavarësisë, konkretisht në vitin 2010.

Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate nuk e mori seriozisht kërkesën e autoriteteve kosovare, të cilat vijuan pa reshtur në vitet e mëpasshme që të bëhet pjesë e kësaj organizate, por sot e kësaj dite ajo vijon të mbetet jashtë saj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re