Policia e Vlorës ka ndëshkuar me një gjobë prej 1.000.000 lekë, pronarin e një lokali në Sarandë, i cili ushtronte veprimtarinë përtej orës policore. Ai gjithashtu u procedua penalisht.

Policia e Vlorës njoftoi po ashtu se kanë rënë në pranga dy shtetas për vepra të ndryshme penale. Një prej tyre për vjedhje dhe tjetri për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Njoftimi i policise:

DVP Vlorë

U konstatua duke ushtruar aktivitet, pas orarit të përcaktuar për mbyllje, procedohet penalisht dhe ndëshkohet  me masë administrative, pronari i një subjekti.

Në pranga edhe dy shtetas, për vepra te ndryshme penale.

Në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, gjatë kontrolleve, rreth orës 00:30, të datës 31.07.2021, kanë konstatuar një subjekt, në rrugën e Butrintit, Sarandë, i cili ushtronte aktivitet, pas orarit të përcaktuar për mbyllje. Ndaj këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, për zhvillimin e aktiviteteve.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë proceduan penalisht shtetasin D. K., 37 vjeç, (pronari i subjetit) për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi gjatë plotësimit të aktit normativ, për konstatimin e shkeljes në këtë subjekt, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë, për shkak të detyrës, shërbimet e Policisë.

———

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Himarë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. S., 19 vjeç, pasi me datë 29.07.2021, i ka vjedhur një shumë të konsiderueshme parash menaxherit të lokalit, ku shtetasi B. S., ishte i punësuar.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. A., 37 vjeç, pasi në aksin rrugor Sarandë-Borsh, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re