Policia e Kosovës njoftoi se ka gjetur sërish armë, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake gjatë një kontrolli më 30 shtator në veri të vendit, rreth një javë pasi u sulmua nga një grup i armatosur.

“Sot është bërë kontrolli i terrenit që përfshin fshatin Brezne – Zveçan, pjesën malore të cilën e kanë shfrytëzuar sulmuesit, i cili ka rezultuar me gjetjen dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të armëve të rënda, municionit e pajisjeve të ndryshme ushtarake”, thuhet në njoftimin e Policisë më 30 shtator.

Në mesin e armatimit të gjetur sot gjatë ditës kishte edhe raketahedhës (zolla), armë të gjata dhe pajisje të tjera ushtarake, si jetek anti-plumb.

Policia e Kosovës u sulmua me 24 shtator në një pritë nga një grup i armatosur derisa po shkonte për të kontrolluar bllokimin e një rruge pranë një ure në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë. Tre sulmues të dyshuar janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim në Prishtinë.

Policia kishte gjetur tashmë një arsenal të jashtëzakonshëm armësh në ditë pas sulmit.

 

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, sipas avokatit të tij./R.E.L

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re