Policia e Shtetit njofton se në vijim të masave për lehtësimin e trafikut të automjeteve, po evidenton dhe ndëshkon ata drejtues që bëhen shkak e pengesë për të vijuar lëvizja duke krijuar fluks në rrugët e kryeqytetit.

Referuar njoftimit zyrtar, Policia Rrugore ka ndëshkuar 323 drejtues mjetesh për pozicionim të gabuar në karrexhatë dhe parakalime të gabuara.

“Nisur dhe nga detyrimet e përcaktuara në Planin Operacional, për pozicionimin e mjeteve në karrexhatë dhe parakalimet e gabuara, rrugorët e kryeqytetit kanë organizuar kontrolle dhe monitorime në disa nga kryqëzimet, ku evidentohen shkelje të shumta përsa i përket pozicionimit në karrexhatë, kryesisht për mjetet që kthehen majtas në zonat e kryqëzimeve, të cilat përveçse nuk sillen sipas sinjalizimit rrugor horizontal, janë shkak për trafik të rënduar dhe burim për aksidente rrugore. 

Kontrollet parandaluese, janë organizuar në forma monitorimi me agjente civile dhe të uniformuar, të cilët dokumentojnë dhe ndëshkojnë shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor edhe në ato kryqëzime ku mungon prezenca fizike e Policisë Rrugore” njofton Policia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re