Policia e Asizit arrestoi dy shtetas shqiptarë dhe procedoi penalisht dy të tjerë për veprën penale të trafikimit të drogës.

Ata ishin fshehur në një hotel të cilin policia e bastisi në agim.

Në dhomën e dy shtetasve shqiptarë të moshës 22 dhe 21 vjeç, efektivët gjetën në një tavolinë 5 qese  me kokainë dhe hashash.

Në dhomën aty pranë ndodheshin edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë, një 19 vjeç dhe një 24 vjeç, të cilët tentuan të arratiseshin.

Njëri arriti të largohej nga taraca. Por “liria” nuk zgjati shumë, pasi agjentët e policisë arritën që t’i kapnin.

Gjatë kontrollit të dhomës u gjetën qese të shumta celofoni dhe një peshore precize, si dhe një çantë me kartëmonedha. Në total policia gjeti 2700 euro të prerjeve të ndryshme.

22-vjeçari dhe 21-vjeçari u arrestuan për posedim të lëndëve narkotike me qëllim tregtimin.

19-vjeçari dhe 24-vjeçari po hetohen për posedim me qëllim tregtimin e drogës. Nga ana tjetër, 24-vjeçari është denoncuar edhe për kundërshtim dhe lëndim trupor ndaj një zyrtari publik.

Policia ka vënë nën hetim edhe pronarin e hotelit ku qëndronin shtetasit shqiptarë./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re